ETIKA ISLAME

HISTORIA E JUNUS A.S

07/12/2010 12:21

Historia e profetit Junus a.s

 

Historia e profetit Junus a.s është nga historitë e rralla që pamenden në Kuranin famëlartë. Lidhur me gjenealogjinë e tij, nuk ceket gjënkundi ashtu siç ceket për profetët e tjerë. Gjithçka që dime rreth tij, është se quhej Junus biri i Meta, nga pasardhësit e profetit Ibrahim a.s. Në Kuran, ai njihet edhe me emrin "Dhunun" ose njeriu i balenës.

 

 

Zoti e dërgoi si profet në një qytet të madh që njihej me emrin Nejneva. Ky qytet, ndodhet në veri të Irakut përballë qytetit Mosul. Dy qytetet i ndan lumi Tigris.

Tregon historiani Ibnu Kethir lidhur me kohën e tij:"Në këtë qytet ekzistojnë mbetje të vendbanimeve të këtij populli, si dhe shumë statuja të kthyera përmbys."

"Junusi ka qenë gjithashtu njëri nga të dërguarit." (Saffat, 139)

Banorët e Nejnevas ishin të shumtë në numër, gjë e cila ceket dhe në një ajet të Kuranit:"Pastaj e dërguam atë te njëqind mijë e më tepër njerëz." (Saffat, 147)

Dijetarët mendojnë se se numri i banorëve ishte njëqind e njëzet mijë dhe ishin jobesimtarë. Junusi a.s vazhdoi t'i ftojë në besimin e drejt pa u lodhur. Veçse e refuzuan Junusin a.s, ata edhe e kërcënuan siç kishte ndodhur me profetët e tjerë para Junusit a.s. I gjendur në një situatë të tillë, Junusi a.s i paralajmëroi për dënimin e Zotit, duke u thënë:"Keni kohë tre ditë." Menjëherë pas kësaj, Junusi a.s u largua nga populli i tij. Zoti i kishte dhënë leje që t'ju tregojë mbi afatin tre ditor, por nuk i kishte dhënë leje të largohej nga qyteti.

"(Kujtoje) Dhun-Nunin (Junusin) kur iku i zemëruar..." (Enbija, 87)

Disa interpretues të Kuranit, thonë se Junusi a.s u largua i zemëruar prej Zotit, gjë e cila është një gafë e pafalshme. Junusi a.s iku i zemëruar me popullin e tij, të cilët e refuzuan fenë, siç duket qartë dhe nga konteksti.

Ai e braktisi popullin e tij, pa marrë leje nga Zoti i lartësuar.

"(Kujtoje) Dhun-Nunin (Junusin) kur iku i zemëruar e mendoi se Ne nuk do ta arrijmë..."

Shumë dijetarë dhe interpretues të Kuranit, bëjnë gafa të rënda në interpretimin e këtij ajeti. Thotë imam Raziu:"Kushdo që mendon se Zoti është i pafuqishëm për diçka ka rënë kufr."

Kështu, shprehja se Junusi a.s mendoi se Zoti nuk do e arrijë, ka një kuptim krejtësisht tjetër nga ai që mund t'i vijë dikujt ndërmend. Qëllimi nuk është se Junusi a.s mendoi se Zoti është i pafuqishëm për ta kapur. Në një transmetim nga Muavija, i cili i thotë Abdullah ibnu Abasit:"Dje, më kanë goditur valët e Kuranit (më kanë bërë të lëkundur). Doja të dilja nga kjo lëkundje dhe hezitim, por e kisha të pamundur. Shpresa ime për të shpëtuar nga kjo gjendje je vetëm ti." Kjo pasi Abdullah ibnu Abasi ishte njeriu më i ditur lidhur me interpretimin e Kuranit fisnik. Kur e dëgjoi, Ibnu Abasi e pyeti:"E cilat qenkan këto ajete o Muavije?!"

Muavije iu përgjigj:"Si është e mundur që Junusi a.s, profet i Zotit, të mendojë se Zoti nuk e mbërrin dot?!"

Abdullah ibnu Abasi iu përgjigj:"Nuk është ashtu o Muavije. Por fjala "kadere" që përmendet në këtë ajet, ka dy kuptime: I pari është ai që mendove ti dhe i dyti është dënimi dhe ndëshkimi. Kështu, Junusi a.s mendoi se duke qenë profet i Zotit, dhe se populli i tij e kishte refuzuar madje dhe kërkcënuar, nuk do të ndëshkohet po të largohet nga qyteti, qoftë dhe pa lejen e Zotit."

Kështu, Junusi a.s e braktisi qytetin, duke menduar se Zoti nuk ka përse ta ndëshkojë, pasi u përcolli afatin treditor të ndëshkimit. Menjëherë ai u nis drejt detit për t'u larguar.

 

Reja e zezë mbi Nejneva

Ndërkohë, shenjat e para të ndëshkimit filluan të shfaqeshin në Nejneva. Një re e madhe dhe e zezë plot me shkreptima filloi t'u afrohej banorëve të qytetit. Kur e panë renë në ditën e parë, banorët e kuptuan se po u afrohej ndëshkimi, ashtu siç i kishte paralajmëruar Junusi a.s. Duke qenë se ishin afër popullit të Lutit, e dinin se çfarë i kishte ngjarë atij populli. Të frikësuar, paria e Nejnevasë u mblodhën të diskutojnë mbi hapat e mëtejshëm. Ata vendosën që të mbledhin të gjithë njerëzit e qytetit dhe u thanë:"Kjo që po na ndodh është pikërisht paralajmërimi i Junusit a.s. Sot nuk kemi shpëtim tjetër veçse të pendohemi dhe të pranojmë fenë e Junusit a.s." Kështu të gjithë banorët e qytetit, njëqind e njëzet mirë, pranuan besimin monoteist, ndërkohë që Junusi a.s nuk ndodhej aty. Veç kësaj, ata veshën rroba plot arrna, si shenjë përuljeje ndaj Zotit, i ndanë nënat nga foshnjet e tyre që të qajnë të dy palët, u ngjitën në kodra dhe filluan të luteshin dhe të përgjëroheshin. Kjo, ndërkohë që reja e zezë qëndronte sipër kokave të tyre. Për tre ditë ata u lutën me përgjërim, derisa Zoti ua pranoi lutjet dhe e largoi ndëshkimin e Tij. Thotë Zoti në Kuran:"Përse nuk pati ndonjë qytet, banorët e të cilit të besonin e t’u bënte dobi besimi i tyre, përveç popullit të Junusit? Kur ata besuan, Ne ua larguam dënimin e poshtërimit në jetën e kësaj bote dhe i lamë të kënaqeshin edhe njëfarë kohe." (Junus, 98)

Përveç popullit të Junusit a.s, asnjë popull tjetër nuk ka besuar pasivisht në fenë e profetit të tyre.

Thotë Ibnu Kethiri:"Vetë ajeti tregon se nuk ekziston fshat dhe qytet tjetër që të kenë besuar të gjithë siç besoi populli i Junusit a.s." Në çdo fshat dhe qytet, do të gjesh besimtarë dhe jobesimtarë. Kurse populli i Junusit a.s të gjithë pa përjashtim përjqafuan fenë e vërtetë, islamin.

 

Junusi a.s në det

Sakaq, Junusi a.s nuk dinte çfarë ka ndodhur me popullin e tij. Ai vajti tek porti dhe u ngjit në një anije të mbushur plot me udhëtarë. Thotë Zoti në Kuran:"Ai nxitoi drejt një anijeje të mbushur plot e përplot" (Saffat, 140)

Gjatë lundrimit, fillon një stuhi e madhe, e cila rrezikonte anijen bashkë me njerëzit. Të frikësuar nga mundësia e mbytjes, njerëzit filluan të hedhin në det të gjithë ngarkesën e anijes. Edhe pse barra u lehtësua, rrezikua vazhdonte të ishte prezent. Dikush propozoi që në det të hidhen edhe disa nga udhëtarët që të lehtësohej barra e anijes. Për këtë, propozuan shortin. Kujtdo që i binte shorti të hidhej në det, do të hidhej, derisa të lehtësohej anija. Kur hodhën shortin, të parit i qëlloi Junusit a.s të hidhej në det. Të tjerët, thanë:"Jo, ky është një djalë i ri dhe ka shenja ndershmërie. Le ta falim këtë herë dhe të hedhim sërish short." Edhe për herë të dytë, shorti i ra Junusit a.s. Po ashtu dhe herën e tretë. Thotë Zoti në Kuran:"dhe hodhi short (me detarët se kush duhej të hidhej) dhe humbi." (Saffat, 141)

Atëherë të gjithë ranë dakort që ta hedhin në det. Me ta hedhur në det Junusin a.s, stuhia pushoi dhe deti u qetësua. Me ta hedhur në det, Junusin a.s e gëlltiti balena. "Pastaj atë e gëlltiti një balenë, se ai kishte bërë diçka të gabuar" (Saffat, 142)

Zoti e urdhëroi balenën që të mos ia thyejë eshtrat dhe mos ia dëmtojë mishin. Junusi a.s e kuptoi se kjo i ndodhi për shkak se u largua nga populli i tij pa lejen e Zotit. Ai filloi ta kritikojë veten për gjithçka kishte ndodhur. Shenja e parë e pendimit është kur njeriu kritikon dhe qorton veten për një akt të gabuar. Fakti që balena nuk e bluante dot, do të thotë se Junusi a.s ishte në një burg, por të një lloji të veçantë. Sipas disa transmetimeve, thuhet se Junusi a.s qëndroi në  barkun e balenës për tre ditë. Ndërkohë që në disa transmetime të tjera thuhet se qëndroi dyzet ditë.

I vetëm në barkun e balenës, Junusi a.s filloi të lutej me përgjërim.  Thotë Zoti në Kuran:"andaj thërriti nga errësirat." (Enbija, 87 Junusi a.s ndodhej në errësirën e barkut të balenës, errësirën e detit dhe të natës.

"dhe, po të mos ishte nga ata që i luten Allahut, me siguri do të mbetej në barkun e saj deri në Ditën e Ringjalljes." (Saffat, 143-144)

Në disa transmetime, thuhet se Junusi a.s i la lutjet dhe vazhdoi vetëm me tesbih (subhanallah). Thuhet se në barkun e balenës, ai filloi të ndijojë dhe dëgjojë tesbihun e krijesave të tjera, gjë që ia kujtoi që edhe ai duhet të bëjë tesbih.

"andaj thërriti nga errësirat: “S’ka zot tjetër, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!” (Enbija, 87)

E gjitha kjo i ndodhi sepse u largua nga qyteti i tij pa lejen e Zotit. Ai ishte një i dërguar i Zotit dhe si çdo i dërguar tjetër, duhet të respektojë urdhrat dhe direktivat e atij që e ka dërguar. Kjo histori, ishte përkujtim për profetin Muhamed a.s që t'i respektojë me fanatizmin më të madh urdhrat dhe porositë e Zotit.

Thotë profeti Muhamed a.s në një hadith të transmetuar nga imam Ahmedi, Nesai, Tirmidhiu dhe të tjerë:"Lutja e Dhununit (Junusit) në barkun e balenës ishte:" S’ka zot tjetër, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!” Nuk ka besimtar që e lut Zotin me këtë lutje, veçse Ai do ia pranojë lutjen."

Kjo lutje ka efekt të menjëhershëm, sidomos në zgjidhjen e halleve dhe largimin e fatkeqësive.

"Ne iu përgjigjëm atij dhe e shpëtuam nga brengosja. Kështu, Ne i shpëtojmë besimtarët." (Enbija, 88)

Një nga sahatet e pyeti profetin Muhamed a.s:"O i dërguar i Allahut! Lutja që bëri Junusi a.s:S’ka zot tjetër, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!” është specifike për të, apo vlen dhe për besimtarët e tjerë pas tij?!" Profeti a.s iu përgjigj:"Ajo ishte specifike për Junusin a.s dhe vlen për besimtarët në përgjithësi. A nuk e ke lexuar vazhdimin e ajetit:" Kështu, Ne i shpëtojmë besimtarët."

Gjatë gjithë qëndrimit në barkun e balenës, Junusi a.s përsëriste fjalët: “S’ka zot tjetër, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!”

Pasi Zoti ia pranoi lutjen, balena e afroi pranë bregut dhe e nxorri jashtë. Thotë Zoti në Kuran:"Por Ne e hodhëm atë në një breg të shkretë, duke qenë i sëmurë." (Saffat, 145)

Vendi ku e nxorri balena ishte një vend i shkretë pa bimë dhe pemë. Junusi a.s ishte i sëmurë – sipas interpretuesve të Kuranit – pasi i ishte qëruar lëkura në barkun e balenës. Në këtë gjendje, Junusi a.s e kishte të pamundur të lëvizë. Ai qëndronte i shtrirë dhe i pamundur. Në këtë çast ndodh një mrekulli tjetër, ku pranë tij mbin një kungull. Dhe bëmë që sipër tij të mbinte një bimë kungulli (për t’i bërë hije)." (Saffat, 146)

Shkaku që mbiu një kungull dhe jo diçka tjetër, është se gjethet e kungullit janë të mëdha dhe i shërbenin për hije. Ato e mbulonin gjithë trupin e tij, duke e mbrojtur nga dielli dhe era. Kungulli kishte një aromë të këndshme, por jo vetëm. Ajo kishte një specifikë tjetër, i largonte insektet dhe mizat nga trupi i Junusit a.s. Për ushqim – sipas interpretuesve të Kuranit – Zoti i kishte mundësuar drenushat, të cilat i afroheshin, hapnin këmbët dhe i lëshonin qumësht për të pirë. Junusi a.s vazhdoi në këtë gjendje derisa u shërua plotësisht. Pasi u shërua dhe iu kthye shëndeti, Zoti e dërgoi sërish tek populli i tij në Nejneva.

"Pastaj e dërguam atë te njëqind mijë e më tepër njerëz, dhe ata i besuan, prandaj u dhamë jetë të këndshme për një kohë." (Saffat, 147-148)

Historia e Junusit a.s është një mësim për të gjithë ata që ftojnë njerëzit në rrugën e Zotit, që të mos i humbasin shpresat. Nuk ka përse të mendosh se me filanin nuk ia vlen të merresh dhe ta ftosh në islam. Junusi a.s kishte vite që e ftonte popullin e tij në besim, por asnjë nuk i ishte përgjigjur ftesës së tij. Në çastin që i këputi shpresat dhe u largua, ata besuan. Ne nuk e dimë kur mund të udhëzohet një person në islam.

"Vërtet, ti (Muhamed) nuk mund të udhëzosh kë të duash, por është Allahu Ai që udhëzon kë të dëshirojë." (Kasas, 56)

Në fund, lidhur me Junusit a.s, Zoti thotë:"Por Zoti i tij e zgjodhi dhe e futi me punëdrejtët." (Kalem, 50)

Thotë profeti Muhamed a.s në një hadith të transmetuar nga imam Muslimi dhe të tjerë:"Askujt nuk i takon të thotë:"Unë jam më i mirë se Junus biri i Metta."

Nuk ka përse të thotë dikush:"Unë jam më i mirë se Junusi a.s, pasi ai u largua nga populli kurse unë jo."

Mësimi që Zoti i jepte profetit Muhamed a.s nga kjo histori përmblidhet në ajetin që i drejtohet vetë Profetit a.s:" Prandaj, duro për gjykimin e Zotit tënd dhe mos u bëj si Njeriu i Peshkut." (Kalem, 48)

Share |
Back

Search site

© 2010 Te gjitha drejtat e rezervuara

Make a commercial website Webnode