ETIKA ISLAME

HISTORIA E JUSUF A.S (PJESA E PARE)

05/12/2010 11:25

Historia e profetit Jusuf a.s.

 

Në rreshtat në vazhdim, do ti qasemi njërës nga historitë më të bukura të Kuranit, të cilën Zoti e shtjellon në një sure të vetme. Në këtë qasje, ne do të eksplorojmë jetën e dy profetëve të nderuar, atë të Jusufit, birit të Jakubit a.s dhe atë që ndodhi me vëllezërit e tij. Gjatë historisë së Jusufit a.s, do të cekim dhe pjesë nga jeta e Jakubit birit të Is'hakut, birit të Ibrahimit a.s.

 

 

Surja Jusuf, në të cilën trajtohet e gjithë historia e këtij profeti, i është shpallur profetit Muhamed a.s në Meke. Ajo sjell në mendje vuajtjet dhe mundimet që kaloi profeti Jusuf a.s. Në përgjithësi, të gjithë suret që janë shpallur në Meke, përmbajnë qortime, paralajmërime dhe kërcënime. Ndërkohë që diçka e tillë nuk ndodh në suren Jusuf dhe jo vetëm kaq. Surja Jusuf i fal lexuesit kënaqësi dhe shplodhje. Në kundërshti me historitë e tjera të profetëve, të cilët përfundonin me ndëshkimin e Zotit, historia e Jusufit a.s, pas sprovave të njëpasnjëshme, ka një përfundim të lumtur dhe të gëzuar.

Lidhur me këtë fakt, thotë Ata, një nga dijetarët e brezit të tabi'inëve:"çdo i brengosur që e dëgjon historinë e Jusufit a.s, pas saj do të ndjehet më i lehtësuar."

Surja Jusuf iu shpall Profetit a.s pas sures Hud, në të cilën ceken shumë emra profetësh dhe ndëshkimi me të cilin Zoti i shkatërroi popujt e tyre.

Surja Jusuf, iu shpall profetit Muhamed a.s në vitin që njihet ndryshe "viti i dëshpërimit", pasi në këtë vit, ndërroi jetë Ebu Talibi, xhaxhai i Profetit a.s. Ai e kishte rritur Profetin a.s, e kishte mbajtur dhe edukuar në shtëpinë e tij dhe e donte shumë atë. Veç kësaj, ai ishte personi që e mbronte Profetin a.s më shumë se kushdo tjetër nga dashakeqët. Vetë Profeti a.s e pohon diçka të tillë në një hadith, ku thotë:"Kurejshët nuk më kanë lënduar derisa vdiq Ebu Talibi."

Tre ditë pas vdekjes së Ebu Talibit, Profetit a.s i vdes dhe një njeri tjetër shumë i dashur, gruaja e tij Hadixheja, Zoti qoftë i kënaqur me të. Ajo ka qenë gruaja e Profetit a.s në këtë botë dhe do të jetë gruaja e tij edhe në xhenet. Ajo është etiketuar si zonja e grave në xhenet. Një ndër femrat dhe gratë më të mira që kanë ecur mbi faqen e tokës. Thotë Profeti a.s në një hadith:"Ka shumë burra që kanë qenë të përsosur, por nga gratë kanë qenë vetëm katër:"Asija, gruaja e faraonit, Merjeme vajza e Imranit, Hadixheja vajza e Huvejlid dhe Fatimeja vajza e Muhamedit."

Profeti a.s u hidhërua dhe u dëshpërua shumë për vdekjen e dy personave më të dashur të tij. Duke i shpallur historinë e profetit Jusuf a.s, sikur Zoti i thoshte: Mos u mërzit, pasi pas vështirësive vjen lehtësimi. Historia e Jusufit a.s mbart në vetvete shumë vlera, dobi dhe përfitime.

Të gjithë historitë e tjera të profetëve, janë të shpërndara dhe të pasistemuara, gjë e cila e vështirëson shumë punën e studiuesve dhe hulumtuesve. Historia e Musait a.s për shembull, është e shpërndarë në shtatëdhjetë e tre vende në Kuran. Kurse historia e Jusufit a.s është përmendur e gjitha në një sure dhe të gjithë ngjarjet ndjekin rrjedhën e tyre njëra pas tjetrës.

Thotë imam Kurtubiu:"Zoti i lartësuar i ka cekur në Kuran tiparët e të gjithë profetëve në vende e forma të ndryshme por me përmbajtje të njëjtë, plot retorikë dhe elokuencë – lidhur me historinë e Ibrahimit a.s dhe tre melekëve mysafirë, në një ajet thuhet se ai u solli një viç të majmë dhe në një ajet tjetër që u solli një viç të pjekur. Kështu, ne kuptojmë që viçi ishte i majmë dhe i pjekur – Ndërkohë që historinë ë Jusufit a.s, Zoti e ka rrëfyer të tërën në një sure të vetme." Zoti e ka prezantuar mrekullinë kuranorë si në rrëfimet e shpërndara, ashtu dhe në ato të cekura në një sure.

Historia e Jusufit a.s në Kuran, fillon me këto fjalë:

"Elif, Lam, Ra. Këto janë vargjet e Librit të qartë! Ne e zbritëm këtë Kuran në gjuhën arabe, për ta kuptuar ju. Ne të tregojmë ty (Muhamed) historinë më të bukur përmes shpalljes së këtij Kurani, ndonëse ti, me të vërtetë, nuk ke qenë në dijeni më parë. Kur Jusufi i tha babait të vet:“O babai im! Unë pashë në ëndërr njëmbëdhjetë yje, Diellin dhe Hënën! I pashë të më përuleshin në sexhde”, ai i tha:“O biri im! Mos ua trego ëndrrën tënde vëllezërve të tu, që të mos kurdisin ndonjë gjë kundër teje, sepse, vërtet, djalli është armik i hapët i njeriut." (Jusuf, 1-5)

Ëndërra, është ajo që i fjeturi sheh në gjumë. Jusufi a.s kishte parë në ëndërr njëmbëdhjetë yje, diellin dhe hënën, të cilët i përuleshin. Kur e dëgjoi këtë ëndërr babai i Jusufit a.s, Jakubi, edhe pse nuk kishte njohuri mbi interpretimin e ëndërrave, e kuptoi që diçka e tillë ishte nder dhe ogur i bardhë për Jusufin a.s. Duke konstatuar xhelozi dhe smirë tek vëllezërit e Jusufit a.s, Jakubi a.s e këshilloi Jusufin a.s që këtë ëndërr të mos ia rrëfejë asnjërit prej vëllezërve. Jusufi a.s kishte njëmbëdhjetë vëllezër, prej të cilëve vetëm Benjamini ishte vëllai i tij për nënë dhe baba. Kurse të tjerët, gjashtë ishin nga e njëjta nënë dhe katër fëmijë nga dy robëresha të Jakubit a.s. Benjamini ishte fëmija më i vogël dhe nuk kishte xhelozi për Jusufin a.s, ndërkohë që gjithë të tjerët e xhelozonin. Kjo xhelozi e kishte burimin tek dashuria e madhe që demonstronte Jakubi a.s sidomos ndaj Jusufit a.s, mandej ndaj Benjaminit. Nuk ka ndonjë gjë të keqe nëse babai apo nëna kanë preferenca dhe disa fëmijë i duan më shumë se të tjerët. E keqe është kur prindi e shfaq dhe e demonstron këtë, ua prezanton këtë ndjenjë dhe fëmijëve të tjerë. Profeti Muhamed a.s na mëson që fëmijët t'i trajtojmë me barazi dhe drejtësi, edhe pse disa mund t'i duam më shumë se të tjerët. Kjo, për të shmangur zilinë dhe xhelozinë mes tyre.

Jakubi a.s ishte lidhur me Jusufin a.s aq shumë saqë nuk qëndronte asnjë moment pa të. Sa herë që Jusufi a.s dilte të luajë dhe të argëtohet, Jakubi a.s i shkonte pas.

"Dhe kështu, Zoti yt të ka zgjedhur ty dhe të mëson shpjegimin e ëndrrave dhe e plotëson dhuntinë e Vet ndaj teje dhe familjes së Jakubit, ashtu siç e ka plotësuar më parë ndaj të parëve tu, Ibrahimit dhe Is’hakut. Pa dyshim, Zoti yt është i Urtë dhe i Gjithëdijshëm”. (Jusuf, 6)

 Zoti i lartësuar e përzgjodhi Jusufin a.s mes gjithë vëllezërve të tij dhe gjithë njerëzve të kohës, që ta dërgojë si profet. Ai do i mësojë interpretimin e ëndërrave dhe do të derdhë mbi të mirësi e begati të pafund.

Lidhur me shkakun që Profetit a.s iu shpall surja Jusuf, thuhet se hebrenjtë e pyetën atë mbi profetin Jusuf a.s dhe menjëherë iu shpall kjo histori në formën e saj më të plotë. Hebrenjtë nuk e posedojnë historinë të plotë siç është në Kuran.

"Për të gjithë ata që pyesin, në historinë e Jusufit dhe të vëllezërve të tij, ka shumë mësime. – për hebrenjtë që pyetën dhe për të gjithë njerëzit e tjerë, historia e Jusufit a.s përcjell koncepte dhe mësime të dobishme - Vëllezërit e tij thanë: “Jusufi dhe vëllai i tij, janë më të dashur se ne për babanë tonë, ndërkohë që ne jemi një grup i tërë. Babai ynë, me të vërtetë, po gabon rëndë. – kjo ishte mungesë respekti dhe etike karshi babait të tyre - Vriteni Jusufin ose braktiseni në ndonjë vend të largët, se pastaj babai juaj do të kthehet nga ju dhe, pas kësaj, do të bëheni njerëz të mirë”. (Jusuf, 8-9)

Gjatë diskutimeve me njëri-tjetrin, njëri nga dhjetë vëllezërit propozoi që ta heqin qafe Jusufin a.s. Një tjetër, Jehodha, e kundërshtoi këtë propozim pasi e konsideroi diçka shumë të rëndë, ata do të vrisnin vëllanë e tyre. Ai vetë propozoi që ta syrgjynosin diku larg. Ata vendosën të kryejnë një krim dhe më pas të pendohen. Ta vrasim ose ta syrgjynosim, pastaj pendohemi tek Zoti.

Me këtë rast, shtrohet pyetja: A pranohet pendimi i atij që synon të veprojë një gjynah apo krim dhe pastaj të pendohet?

Dijetarët myslimanë e kanë shqyrtuar këtë mesele dhe kanë arritur në përfundimin se: Porta e pendimit është e hapur në çdo kohë. Zoti pret çdo natë që të pendohet gjynahqari i ditës dhe pret çdo ditë që të pendohet gjynahqari i natës. Porta e pendimit qëndron e hapur për këdo që shpreh dëshirën të pendohet. Vetë Zoti i lartësuar e pranoi pendimin e vëllezërve të Jusufit a.s. Por në një rast të tillë, rreziku qëndron në faktin se njeriu mund ta veprojë gjynahun dhe të vdesë para se të pendohet.

Jehodha propozoi që ta hedhin në një pus, përgjatë rrugës që kalojnë karvanet:"Njëri prej tyre tha: “Mos e vrisni Jusufin, por hidheni në fund të ndonjë pusi; do ta marrë ndonjë karvan; nëse përnjëmend doni të bëni diçka me atë”. (Jusuf, 10)

Vëllezërve të tjerë u erdhi për shtat ky propozim. Menjëherë ata vajtën tek babai i tyre Jakubi a.s dhe i kërkuan ta lejojë Jusufin a.s t'u bashkohet në kullotjen e deleve. Siç e thamë, Jakubi a.s nuk qëndronte dot pa Jusufin a.s, kështuqë nuk e lejonte të dalë jashtë shtëpisë.

"Ata thanë: “O babai ynë! Përse për Jusufin nuk ke besim te ne?! Në të vërtetë, Ne i dëshirojmë çdo të mirë atij. Dërgoje nesër me ne që të argëtohet dhe të luajë. Të sigurojmë se do ta ruajmë. (Babai) tha: “Unë brengosem po ta merrni dhe kam frikë se mos do ta hajë ujku, ndërkohë që ju s’do ta keni mendjen tek ai.” Jakubi a.s u tregoi mbi mallin dhe dashurinë që ndjenjte për Jusufin a.s, gjë të cilën e pasoi dhe me frikën që kishte se mos e gjen diçka e keqe, sulmohet nga ndonjë ujk në shktretëtirë.  - Ata thanë: “Si do ta hajë ujku, kur ne jemi një grup i fortë! Atëherë, me të vërtetë që ne do të ishim të humbur”. (Jusuf, 11-14)

Dhjetë vëllezërit insistuan në kërkesën e tyre, derisa në fund Jakubi a.s u dorëzua dhe pranoi ta dërgojë Jusufin a.s me ta.

Sipas rrëfenjave të ndryshme, thuhet se gjatë rrugës vëllezërit e rrahën Jusufin a.s, e shanin dhe e ofendonin. Me të arritur tek pusi, të gjithë ishin të një mendimi që ta hedhin brenda tij. Ndërkohë që po e zbrisnin në pus, para se të mbërrijë në fund të pusit, Jusufi a.s qëndron mbi një gur të dalë. I vetëm në pusin e thellë dhe të frikshëm, Jusufi a.s do të frymëzohej nga Zoti.

"Ne i shpallëm Jusufit: “Ti do t’i lajmërosh ata për këtë vepër, pa e vënë re ata (që ti je Jusufi).” (Jusuf, 15)

Kjo ishte një garanci për Jusufin a.s nga ana e Zotit, se së shpejti do të dalë nga pusi dhe se do të takohet sërish me vëllezërit e tij mëkatarë.

"Dhe në mbrëmje ata shkuan te babai i tyre, duke qarë." (Jusuf, 16)

Dijetari mysliman, El-amesh, një herë ndodhej me kadiun e shquar dhe të drejtë, Shurejh. Në një çast, vjen një grua t'i ankohet kadiut për një çështje dhe teksa fliste qante me dënesë. Kadiu Shurejh e dëgjonte dhe nuk i fliste fare. El-amesh ndërhyn në një moment dhe i thotë kadiut:"A nuk e sheh si i rrjedhin lotët dhe qan?!" Kadiu iu përgjigj:"Edhe vëllezërit e Jusufit vajtën në mbrëmje tek babai i tyre duke qarë. Drejtësia nuk ka të bëjë me të qarën."

"Thanë: “O babai ynë, ne shkuam të vrapojmë e Jusufin e lamë te rrobat tona, andaj e hëngri ujku. Por ti nuk na beson, edhe sikur të themi të vërtetën”. (Jusuf, 17)

Me këto fjalë, ata demaskuan veten, pasi i thanë që nuk do na besosh edhe sikur të të themi të vërtetën.

"Dhe sollën këmishën e tij të përgjakur, me gjak të rremë. – Tregon Abdullah ibnu Abasi:"Dhjetë vëllezërit therrën një dele dhe me gjakun e saj përlyen kamishin e Jusufit a.s, që t'a kenë si provë para babait se e ka shqyer ujku." – Me ta parë Jakubi a.s e kuptoi dhe u tha:"Sa ujk zemërmirë paska qenë! Paska ngrënë gjithë djalin tim dhe i paska kursyer këmishën?!" - Ai tha: “Nuk është kështu, por ju keni sajuar diçka (tjetër nga sa thoni). Por, durim! Allahut i kërkoj ndihmë kundër asaj që po tregoni ju”. (Jusuf, 18)

 

Jusufi a.s në pus

"(Ndërkohë në pus) erdhi një karvan. Ata dërguan ujëmbartësin e vet dhe ai lëshoi kovën e tij dhe thirri:“O sa gëzim! Qenka një djalë!” Ata e fshehën atë si plaçkë tregtie, por Allahu e dinte mirë çfarë bënin ata." (Jusuf, 19)

Asokohe Jusufi a.s ishte vetëm dymbëdhjetë vjeç. Me të parë litarin që u lëshua poshtë për ujë, Jusufi a.s u kap pas tij derisa doli lart në sipërfaqe. Kur e panë Jusufin a.s të dalë nga pusi, u gëzuan shumë. Veçse doli një djalosh që mund të shitej si skllav, ata u habitën dhe me hijeshinë e Jusufit a.s. Ata e morrin dhe e fshehën bashkë me mallrat e tjerë. Këtë e bënë pasi menduan se mund të ketë humbur dhe familjarët e kërkojnë, ndërkohë që ata donin ta shesin. Karvani i tyre vinte nga Medjeni (Jordani) dhe ishte drejtuar për në Egjipt. Me të shkelur në Egjipt e shitën menjëherë kundrejt një çmimi të ulët.

"Ata e shitën Jusufin me një çmim të ulët, veç disa grosh, pa pasur fare lakmi (për para)." (Jusuf, 20)

Tregon Ibnu Abasi:"Ata e shitën Jusufin a.s për njëzet dërhemë."

Një çmim kaq i ulët për një djalosh të ri dhe të hijshëm si Jusufi a.s ishte nga frika që kishin se mos demaskoheshin.

Ai që e bleu Jusufin a.s ishte Azizi, titull që i përkiste ministrit të financave asokohe në Egjipt.

"Një njeri nga Egjipti që e bleu, i tha gruas së vet: “Bëja të këndshëm qëndrimin këtu. Ndoshta do të na shërbejë ose do ta birësojmë!" (Jusuf, 21)

Duke qenë se Azizi ishte i paaftë për të lindur fëmijë dhe impotent, mendoi ta birësojnë dhe ta kenë si djalin e tyre. kështu, Jusufi a.s rritet në pallatin e ministrit të financave të Egjiptit, si djali i Azizit. Me kalimin e viteve, Jusufi a.s filloi të merret dhe me administrimin e çështjeve të pallatit të Azizit, gjë e cila e aftësoi.

"Dhe kështu, Ne e vendosëm Jusufin në atë tokë të bukur dhe i mësuam shpjegimin e ëndrrave. Allahu ka kontroll dhe fuqi të plotë mbi çështjet e Tij, por shumica e njerëzve nuk e dinë." (Jusuf, 21)

Gjithë ky privilegj, Jusufit a.s i erdhi pas sprovës së madhe dhe shitjes si skllav.

"Kur Jusufi arriti moshën e pjekurisë, Ne i dhamë aftësinë e të gjykuarit dhe dituri. Kështu i shpërblejmë Ne punëmirët." (Jusuf, 22)

Jusufi a.s u rrit dhe hodhi shtat si burrë i pjekur, nuk adhuroi kurrë idhujt, nuk pati sjellje perverse dhe Zoti e kishte pajisur me gjykim të shëndoshë dhe dijeni të gjera. Në këtë periudhë, Zoti e etiketon Jusufin a.s si djalosh i ditur, i urtë dhe punëmirë. Nëse një i ri gëzon këto tipare, është e pamundur që të hedhë qoftë dhe një hap në rrugën e ligësisë.

 

Jusufi a.s në sprovë

Kur mbushi shtatëmbëdhjetë vjeç, hijeshia e Jusufit a.s s'kishte të krahasuar. Mbi hijeshinë e tij, disa interpretues të Kuranit thonë me ekzagjerim:"Sa herë që ecte përpri një  muri, reflektonte dritë mbi mur."

Por ajo që është e ditur nga të gjithë është se Jusufi a.s gëzonte hijeshi të rrallë. Profeti Muhamed a.s tregon mbi udhëtimin e tij natën e Miraxhit:"...u takova dhe me Jusufin a.s, të cilit i ishte dhënë gjysma e hijeshisë."

Interpretuesit e Kuranit thonë:"Zoti e ka ndarë bukurinë dhe hijeshinë në dy pjesë, njërën ua shpërndau njerëzve dhe krijesave të tjera, kurse tjetrën ia dha Jusufit a.s."

Nëse kjo është hijeshia dhe bukuria e Jusufit a.s, ç'mund të mendojmë për hijeshinë, bukurinë dhe madhështinë e Krijuesit të Jusufit a.s!

Gruaja e Azizit a.s, duke jetuar përditë me këtë hijeshi të rrallë, u tundua dhe u dha pas Jusufit a.s duke dashur ta çojë në shtrat. Për t'ia arritur qëllimit, ajo e joshte çdo ditë Jusufin a.s, i fliste me përkëdheli dhe nuk e fshihte pasionin tundues.

"Por ajo në shtëpinë e së cilës gjendej ai, nisi t'a joshë në kundërshtim me dëshirën e tij. Ajo ia mbylli të gjitha dyert dhe i tha:"Jam e gatshme për ty!  Kurse ai tha: “Allahu më ruajt! Me të vërtetë, padroni është kujdesur për mua dhe, pa dyshim, keqbërësit nuk do të shpëtojnë kurrë”. (Jusuf, 23)

Si mund t'ia bëj diçka të tillë, atij që është kujdesur për mua si për djalin e tij? a nuk është kjo një vepër e ligë dhe e keqe?

Duket qartë që Jusufi a.s e refuzoi këtë propozim që në fillim dhe se as që e kishte çuar në mendje diçka të tillë. Zoti i kishte dhënë pjekuri dhe urtësi Jusufit a.s, gjë e cila e bënte të respektojë kufinjtë dhe të mos i shkojë mendja tek përdhosja e nderit të tjetrit, aq më tepër të dikujt që i kishte bërë mirë. Këtë e theksojmë, pasi ka disa dijetarë që pretendojnë se edhe Jusufi a.s ushqeu të njëjtën ndjenjë për gruan e Azizit dhe se u dha pas saj.

"Ajo e dëshiroi atë; por edhe Jusufi do ta kishte dëshiruar atë, sikur të mos kishte parë provën e Zotit të vet. " (Jusuf, 24)

Për ta shtjelluar dhe kuptuar më mirë atë që ndodhi, le të marrim një shembull. Jam duke ecur rrugës dhe po të mos më kishte kapur filani për krahu, do të kisha rënë në një pusetë të hapur. Pra, unë nuk rashë në puset, sepse dikush më kapi dhe më largoi prej saj. E njëjta gjë ndodhi dhe me Jusufin a.s, i cili nuk u dha pas gruas së Azizit, as që e dëshiroi dhe as që nuk i vajti në mendje një vepër e tillë. Kjo, sepse ai konstatoi dhe pa një provë nga ana e Zotit. Ajo që pohojnë disa interpretues të Kuranit se edhe Jusufi a.s e dëshiroi, madje u shtri në shtrat me të, por pasi pa një provë nga Zoti u ngrit dhe e braktisi. Diçka e tillë nuk mund ta pranojmë për një besimtar të devotshëm, e si mund ta pranojmë për një nga profetët e Zotit të lartësuar, i cili e dinte se marrëdhëniet jashtëmartesore janë padrejtësi dhe vepër e ligë?!

Fjalët:“Allahu më ruajt! Me të vërtetë, padroni është kujdesur për mua dhe, pa dyshim, keqbërësit nuk do të shpëtojnë kurrë” Jusufi a.s i tha menjëherë sa dëgjoi propozimin e gruas së Azizit. E e refuzoi këtë vepër pa i dhënë mundësi vetes as që të mendohet dhe ta pleqërojë. Situata dhe joshja ishte aq e madhë, saqë të paktën Jusufi a.s mund dhe ta çonte ndërmend një vepër të tillë. Nëse dikush është agjërueshëm në Ramazan dhe në pikun e vapës ku e ka mbërthyer etja, para i shfaqet një gotë me ujë të ftohtë, menjëherë mendon "ah sikur ta pija që të shuaj etjen!" Megjithatë, ai  refuzon, pasi është agjërueshëm. Jusufi a.s as që e çoi ndërmend një vepër të tillë, pasi pa një provë dhe argument nga ana e Zotit. Po çfarë pa Jusufi a.s?

Në fakt, nuk dihet me saktësi se çfarë ishte, por ishte diçka që ia ndërpreu dhe mundësinë për ta çuar ndërmend një ligësi të tillë. Disa interpretues të Kuranit, mendojnë se Jusufi a.s pa Xhibrilin a.s. Interpretues të tjerë mendojnë se pa të atin duke kafshuar gishtin. Të tjerë mendojnë se pa padronin dhe burrin e Zulejhasë që po hynte në shtëpi. Kurse disa interpretues të tjerë mendojnë se Jusufi a.s pa të shkruar mbi mur fjalët "ajo është shfrenim dhe rrugë e shëmtuar!" (Isra, 32)

Këto ishin disa mendime të interpretuesve të Kuranit, të cilat nuk mbështeten në ndonjë hadith të Profetit a.s. Gjithësesi, ajo që na interesons është se Jusufi a.s padiçka që ia largoi edhe mundësinë për të menduar rreth gruas së Azizit.

"Kështu e larguam nga e keqja dhe vepra e shëmtuar, sepse ai, në të vërtetë, ishte nga robërit Tanë të sinqertë." (Jusuf, 24)

 

Share |
Back

Search site

© 2010 Te gjitha drejtat e rezervuara