ETIKA ISLAME

HISTORIA E JUSUFIT A.S (PJESA E DYTE)

05/12/2010 11:28

Zoti e mbrojti Jusufin a.s nga vepra e ligë dhe të menduarit mbi këtë vepër. Sinqeriteti është një moral dhe vyrtit tjetër i Jusufit a.s, që ceket në këtë ajet.

Edhe pse Jusufi a.s refuzoi të flerë me gruan e Azizit, ajo nuk u dorëzua, por vazhdoi me joshjet e saj. Duke parë këtë, Jusufi a.s u nis të dalë me vrap jashtë. Ajo iu qep nga pas, sikur bënin gara me njëri-tjetrin për tek dera. "Që të dy vrapuan nga dera dhe ajo ia shqeu këmishën atij nga mbrapa." (Jusuf, 25)

Jusufi a.s rrekej të hapë derën, ndërkohë që gruaja e Azizit rrekej ta kthejë mbrapsht duke e tërhequr nga pas. Në një çast, ajo ia shqyen këmishën Jusufit a.s duke e tërhequr. Në atë moment, dera hapet me çelës nga jashtë dhe hyn Azizi i cili sheh të shoqen e zbukuruar, e cila u gjend ngushtë, dhe Jusufin a.s. Duke dashur të largojë dyshimet dhe akuzat, ajo ndërhyri menjëherë dhe tha:"“Çfarë dënimi meriton ai që kërkon t’i bëjë të keqe gruas sate  - por nga frika se mos e vrasin Jusufin a.s, pasi vazhdonte ta dojë, ajo caktoi dhe dënimin që përjashtonte vrasjen -  përveç burgosjes apo dënimit të dhembshëm?” (Jusuf, 25)

Jusufi a.s ndërhyri dhe u mbrojt duke treguar të vërtetën:"Ajo provoi të më joshte”.

Këtu, ndërhyn një person i tretë, mbi të cilin ka mendime të ndryshme kush mund të ketë qenë. Kurani mjaftohet duke e etiketuar si dëshmitar. "Një dëshmitar (që u gjend aty), pohoi: “Nëse këmisha e tij është shqyer përpara, atëherë ajo thotë të vërtetën, kurse ai gënjen. Por, nëse këmisha e tij është shqyer prapa, atëherë ajo gënjen, ndërsa ai thotë të vërtetën." (Jusuf, 26-27)

Lidhur me këtë dëshmitar, ekzistojnë dy mendime. Mendimi i parë, është se ai ishte një foshnje i cili foli dhe tregoi se ishte gruaja e Azizit ajo që e joshi Jusufin a.s. Mendimi i dytë është se ai ishte djali i xhaxhait të Azizit. Ai propozoi të verifikohej nëse këmisha ishte grisur nga para apo nga pas. Nëse ishte grisur tek pjesa e kraharorit, Jusufi a.s ishte fajtor. Në të kundërt, ishte gruaja fajtore.

"Kur burri i saj pa se këmisha e Jusufit ishte shqyer nga mbrapa, tha: “Patjetër që kjo është një nga dredhitë tuaja (të femrave). Në të vërtetë, dredhitë tuaja janë të mëdha!" (Jusuf, 28)

Azizi i përkiste shtresës aristokrate, shtresë e cila nuk i kushton rëndësi çështjes së nderit. Nga fjalët e mëposhtme, duket qartë se atij as që iu skuq fytyra për atë që kishte ndodhur, por tha:"Ti, o Jusuf, largohu nga kjo! Kurse ti (gruaja ime), kërko falje për këtë gjynah, sepse, në të vërtetë, ti je fajtore”. (Jusuf, 29)

E tillë është jeta aristokrate në përgjithësi, ku nderi i familjes nuk ka rëndësi dhe burri shndërrohet në brinar. Madje, Azizi as që e dëboi Jusufin a.s nga shtëpia. Edhe pse e dinte atë që kishte ndodhur, ai i linte sërish vetëm në shtëpi pa u shqetësuar.

Lajmi filloi të përhapej në qytet, sidomos tek aristokratët.

"Disa gra (të parisë) në qytet po thoshin: “Gruaja e Azizit (ministrit) deshi ta joshte shërbëtorin e vet. Asaj i ka rënë vërtet në kokë dashuria për të. Ne besojmë se ajo e ka humbur fare”. (Jusuf, 30)

Pra, ata e konsideronin si diçka të ulët që një grua aristokrate të flejë me një shërbëtor dhe skllav, por sikur të ishte i një shtrese të lartë nuk shihnin ndonjë gjë të keqe.

Këto fjalë i mbërritën gruas së Azizit e cila nuk mund të rrinte duarkryq. Ajo i ftoi për gosti gratë e elitës dhe pas ushqimit u ofroi mollë për të ngrënë. Teksa qëronin mollët të mbështetura në jastëkë të butë, gruaja e Azizit urdhëroi Jusufin a.s të hyjë në dhomën e tyre. Kur e panë hijeshinë e Jusufit a.s, gratë u mahnitën saqë nuk vunë re se në vend të mollëve, filluan të copëtojnë duart me thika.

"Kur dëgjoi për thashethemet e tyre, ajo i thirri ato në gosti, çdonjërës i dha nga një thikë dhe (i) tha (Jusufit): “Dil para tyre!” Kur e panë, gratë u mahnitën nga bukuria e tij, prenë duart dhe thanë: “O Zot, o Zot! Ky nuk është njeri, por qenka një engjëll fisnik!” (Jusuf, 31)

Një hijeshi e tillë nuk mund t'i përkasë një njeriu, por një engjëlli. Sakaq, gruaja e Azizit ndërhyri dhe tha:"Ajo tha: “Jo, ky është ai për të cilin ju më qortuat. Jam përpjekur ta josh, por ai është ruajtur nga gjynahu. Por, nëse ai nuk bën atë që e urdhëroj unë, me siguri që do të burgoset dhe do të poshtërohet”. (Jusuf, 32)

Ajo jo vetëm që nuk u turpërua dhe nuk u ndje ngushtë nga ajo që kishte ndodhur, por insistonte në pasionin e saj të verbër. Veç kësaj, ajo pohoi se Jusufi a.s e kishte refuzuar.

Gratë elitare iu vërsulën Jusufit a.s dhe secila e donte për vete. Tashmë nuk ishte vetëm gruaja e Azizit, por shumë gra që po çmendeshin pas Jusufit a.s. Ajo që e vërteton këtë, është pyetja e mbretit që do të vijë më pas, i cili i pyet gratë:"Mbreti u tha (grave): “Si qe puna juaj kur deshët ta joshnit Jusufin?”. (Jusuf, 51)

Pra ishin të gjithë gratë që filluan ta joshin dhe u dhanë pas Jusufit a.s ku secila e donte për vete. Ato nuk ishin gra dosido, por përfaqësonin shtresën më të lartë të Egjiptit, ishin gra të bukura, gra ministrash dhe pushtetarësh, të pasura dhe të pushtetshme.

Shumë dijetarë përmendin Jusufin a.s kur interpretojnë hadithin e Profetit a.s që thotë:"Shtatë kategori njerëzish do të strehohen nën hijen e Arshit të Zotit, atë Ditë kur nuk do të ketë hije tjetër përveç tij.... dhe një i ri që është ftuar nga një femër e bukur dhe e pushtetshme, por ai i përgjigjet:"Unë i frikësohem Zotit."

Kushdo që vepron si Jusufi a.s në raste të tilla, do të përfitojë nga ky privilegj.

Duke parë se situata veç vinte dhe rëndohej, Jusufi a.s u lut:Ai tha: “O Zoti im, më shumë e dua burgun se atë ku më shtyjnë ato. Nëse Ti nuk e largon prej meje dredhinë e tyre, unë do të jepem pas tyre dhe do të bëhem nga ata që nuk (i) dinë (ligjet e Tua).” (Jusuf, 33)

Gratë elitare vunë në përdorim të gjithë arsenalin e marifeteve dhe dredhive të tyre me qëllim që ta bëjnë Jusufin a.s për vete, por dështuan. Ai kishte kaluar në mbrojtjen e drejtpërdrejtë të Zotit.

"Dhe Zoti e plotësoi lutjen e tij dhe e shmangu nga dredhitë e tyre. Me të vërtetë, Ai dëgjon dhe di çdo gjë." (Jusuf, 34)

Lajmi se gruaja e Azizit ishte dhënë pas shërbëtorit dhe skllavit të saj, mori dhenë. Nuk mbeti njeri pa folur mbi këtë skandal, gjë e cila e shqetësoi pa masë atë. E gjendur përballë këtij skandali, ku të gjithë e stigmatizonin dhe talleshin, ajo vajti tek i shoqi dhe i qau hallin. Pasi e kuvenduan dhe e pleqëruan mirë këtë punë, Azizi vendosi ta ndëshkojë Jusufin a.s. Ai urdhëroi që Jusufi a.s të vendosej mbi një gomar, nga pas t'i shkonte një tellall që i binte daulles dhe përsëriste fjalët:"Jusuf çifuti, lakmoi padronet e tij dhe për këtë do të ndëshkohet me burg."

"Pastaj u ra ndërmend atyre, pasi i panë shenjat (e pafajësisë së Jusufit) që ta burgosin për një kohë (në mënyrë që ngjarja të mos përhapej në popull)." (Jusuf, 35)

Bashkë me Jusufin a.s, në burg hynë dhe dy të rinj të tjerë. Gjatë qëndrimit në burg, të rinjtë prezantohen me Jusufin a.s dhe me moralin, virtytet e tij, adhurimin dhe përkushtimin karshi Zotit. Një natë, dy të rinjtë shohin nga një ëndërr, të cilën ia treguan menjëherë në mëngjes Jusufit a.s.

"Njëri prej tyre tha: “Unë kam parë (në ëndërr) veten, se si shtrydhja verë”. Tjetri tha: “Unë kam parë në ëndërr, se si mbaja në kokë bukë, të cilën e hanin shpendët. Shpjegona kuptimin e ëndrrave. Ne, me të vërtetë, shohim se ti je njeri i mirë.” (Jusuf, 36)

Para se t'u intepretojë ëndërrën, Jusufi a.s filloi t'u flasë mbi vlerat e besimit në një Zot të vetëm.

"Jusufi tha: “Sa herë që t’ju vijë ndonjë ushqim (në ëndërr) si risk për ju, unë do t’ju lajmëroj se çfarë kuptimi ka, para se të bëhet realitet. Kjo është prej diturive që m’i ka mësuar Zoti im. Unë e kam flakur tej fenë e njerëzve që nuk besojnë Allahun e që mohojnë jetën tjetër. Unë besoj fenë e të parëve të mi - Ibrahimit, Is’hakut dhe Jakubit. Ne, kurrë nuk mund t’i shoqërojmë Allahut ndonjë gjë (në adhurim). Kjo është dhuntia e Allahut ndaj nesh dhe njerëzve të tjerë, ndonëse shumica e njerëzve nuk janë mirënjohës." (Jusuf, 37)

Duke qenë se fama e Ibrahimit a.s kishte marrë dhen asokohe, ai u foli dhe mbi Ibrahimin a.s dhe u tregoi se është pasardhës i tij. Me këtë, ai tregonte vlerat dhe privilegjet që i kishte dhënë Zoti. Kur u pyet profeti Muhamed a.s se kush ishte i fismi, u përgjigj:"I fismi është biri i të fismit, biri i të fismit biri i të fismit. Jusufi biri i Jakubit, biri i Is'hakut biri i Ibrahimit."

Të katër këtë ishin profetë, nder i cili nuk i është dhënë tjetër kujt përveç kësaj familjeje.

"O shokët e mi të burgut! A janë më mirë një mori zotash të ndryshëm apo Allahu, i Vetmi, Ngadhënjimtari? Ata që ju i adhuroni në vend të Allahut, janë vetëm emra, të cilët i keni vënë ju dhe të parët tuaj, pa pasur prej Tij asnjë argument. Vendimi i përket vetëm Allahut: Ai ka urdhëruar që të adhuroni vetëm Atë. Kjo është e vetmja fe e vërtetë, por shumica e njerëzve nuk e dinë." (Jusuf, 39-40)

Feja nuk mund të jetë e plotësuar dhe e vërtetë, vetëm kur u referohemi ligjeve të Zotit si në çështjet e riteve ashtu dhe në çështjet jetësore të përditshme. Vendimi final për çdo çështje, i përket vetëm Zotit. Feja është adhurim dhe legjislacion. Pas kësaj parathënieje, Jusufi a.s ua interpretoi ëndërrën.

"O shokët e mi të burgut! Njëri prej jush do t’i shërbejë verë pronarit të vet, kurse tjetri do të kryqëzohet, e shpendët do të hanë prej kokës së tij. Kështu është caktuar kjo gjë për të cilën pyetët ju!” (Jusuf, 41)

I riu që do të kryqëzohej dhe zogjtë do hanin nga koka e tij, kur e dëgjoi këtë interpretim tha:"Jo. Nuk ishte e tillë ëndrra." Por Jusufi a.s ia ktheu:"Kjo çështje ka përfunduar tashmë."

Atij që do të shpëtonte dhe do i shërbente mbretit, Jusufi a.s i kërkoi një nder.

"Jusufi i tha njërit prej këtyre të dyve, për të cilin e dinte se do të shpëtonte: “Përmendëm mua te pronari yt!”

Ai i kërkoi që t'ia rrëfejë historinë e Jusufit a.s me shpresë se mos e nxjerr nga burgu. Por me të dalë, i riu e harroi fare Jusufin a.s, edhe pse filloi punë tek mbreti si kamerier.

"Por djalli bëri që ai të harronte ta përmendte te pronari i vet dhe kështu, Jusufi mbeti edhe disa vjet në burg." (Jusuf, 42)

Me këtë, Zoti deshi që t'i japë një mësim të mirë Jusufit a.s. 

Në një rrëfenjë, thuhet se Xhibrili a.s vajti tek Jusufi a.s dhe i tha:"O Jusuf! Kush të mbrojti dhe të shpëtoi nga komploti i vëllezërve?!" Jusufi a.s iu përgjigj:"Allahu." Xhibrili a.s e pyeti:"Po nga pusi, kush të nxorri dhe të shpëtoi?!" Jusufi a.s u përgjigj:"Allahu." Xhibrili a.s e pyeti:"Po kush ta dha lirinë, pasi u shite si skllav?!" Jusufi a.s u përgjigj:"Allahu." Xhibrili a.s e pyeti:"Po kush të mbrojti nga gratë?!" Jusufi a.s u përgjigj:"Allahu."  Xhibrili a.s i tha:"Atëherë përse kërkon ndihmën e dikujt tjetër?!"

"Por djalli bëri që ai të harronte ta përmendte te pronari i vet dhe kështu, Jusufi mbeti edhe disa vjet në burg." (Jusuf, 42)

Për këtë, Jusufi a.s do të kalojë dhe disa vite të tjera në burg, pa u interesuar për të njeri.

 

Ëndrra e mbretit

Pasi kaluan disa vite, mbreti i Egjiptit sheh një ëndërr të çuditshme.

"Dhe tha mbreti: “Kam parë në ëndërr shtatë lopë të majme, të cilat po i hanin shtatë lopë të dobëta dhe kam parë shtatë kallinj të gjelbër e shtatë të tjerë të tharë. O paria ime, më shpjegoni ëndrrën time, nëse dini t’i interpretoni ëndrrat!” (Jusuf, 43)

Shtatë lopët e dobëta, i hanin shtatë lopët e majme. Shtatë kallinjtë e thatë pa kokra, mbështilleshin rreth shtatë kallinjve të mbushur me kokra dhe i shkatërronin. Interpretuesit e ëndërrave të mbretit nuk ditën si ta shpjegojnë dhe interpretojnë këtë ëndërr të çuditshme.

"Ata thanë: “Këto janë ëndrra të ngatërruara e ne nuk dimë t’i shpjegojmë.” (Jusuf, 44)

Në këtë kohë, shërbëtori i mbretit që kishte qenë në burg me Jusufin a.s, kujtohet se ai i interpretonte ëndërrat.

"Njërit nga ata dy që shpëtoi (nga burgu), iu kujtua pas një kohe e tha: “Unë do t’ju njoftoj për shpjegimin e kësaj (ëndrre), vetëm më dërgoni (te Jusufi)!”

(Jusuf, 45)

Duke qenë se burgu ku ndodhej Jusufi a.s ndodhej jashtë qytetit, shërbëtori u nis menjëherë me porosinë e mbretit.

"(Shërbëtori) I tha: “O Jusuf, o njeri i drejtë! Na shpjego (ëndrrën) për shtatë lopë të majme, të cilat hahen prej shtatë lopëve të dobëta dhe për shtatë kallinj të gjelbër e shtatë tjerë të tharë, që të kthehem te njerëzit e ta dinë edhe ata”. (Jusuf, 46)

Me ta dëgjuar, Jusufi a.s ua interpretoi ëndërrën, madje u ofroi dhe një plan për të dalë nga kriza që priste Egjiptin dhe rajonin.

"(Jusufi) tha: “Do të mbillni shtatë vjet rresht. Prodhimin që do të korrni lëreni në kallinj, përveç një pakice që do t’ju shërbejë për të ngrënë, sepse pastaj do të vijnë shtatë vite të thata, të cilat do t’i harxhojnë ato që i keni ruajtur ju, përveç një pakice që mund të kurseni. Pastaj, pas këtyre do të vijë një vit plot shi për njerëzit, vit në të cilin ata do të shtrydhin (rrush, etj.).” (Jusuf, 47-49)

Kur e dëgjoi mbreti interpretimin e kësaj ëndërre dhe propozimin për të dalë nga kriza mbeti i mahnitur. Ai kërkoi menjëherë që Jusufi a.s të dërgohej në pallatin mbretëror. I dërguari i mbretit shkon tek Jusufi a.s në burg dhe i përcjell kërkesën e mbretit. Por Jusufi a.s refuzon të dalë nga burgu. Thotë profeti Muhamed a.s:"Zoti e mëshiroftë Jusufin a.s, sa durimtar që u tregua! Për Zotin! Nëse do më jepej rasti të dal nga burgu do pranoja menjëherë."

Jusufi a.s refuzoi të dalë nga burgu, pa u shpallur pafajësia e tij për akuzat që i ishin veshur.

"Kur (Jusufit) i erdhi i dërguari, ai i tha: “Kthehu te mbreti yt e pyete: ç’patën ato gra që prenë duart e veta?” Me të vërtetë, Zoti im i di dredhitë e tyre”! (Jusuf, 50)

Menjëherë mbreti u interesua mbi të kaluarën e Jusufit a.s dhe shkakun që ishte penalizuar me burg. Pasi dëgjoi se çfarë kishte ndodhur, ai i mblodhi gratë dhe i pyeti.

"Mbreti u tha (grave): “Si qe puna juaj kur deshët ta joshnit Jusufin?”. Ato thanë: “Allahu na ruajt! Ne nuk dimë asgjë të keqe për atë”. Gruaja e Azizit (ministrit) tha: “Tani do të dalë në shesh e vërteta! Unë u përpoqa që ta joshja atë; ai është vërtet njeri i drejtë që ta dijë ai (burri im), se unë nuk e kam tradhtuar gjatë kohës së mungesës së tij. Vërtet, Allahu nuk u jep fund të mirë dredhive të tradhtarëve. Unë nuk e shfajësoj veten, sepse shpirti (i njeriut) është fort i prirur për të keqe, përveç atij që e mëshiron Zoti im. Me të vërtetë, Zoti im është Falës dhe Mëshirë-plotë”.  (Jusuf, 52)

Disa interpretues të Kuranit, mendojnë se fjalët e fundit janë të Jusufit a.s dhe jo të gruas së Azizit. Por në fakt, janë fjalët e gruas së Azizit.

Kur mbreti konstatoi pafajësinë e Jusufit a.s, urtësinë e tij, dijet dhe aftësitë e rralla, vendosi ta marrë si këshilltarin e tij më të afërt. Një njeri që nuk del nga burgu pa u provuar pafajësia, patjetër që është i ndershëm.

Kur Jusufi a.s u takua me mbretin dhe biseduan gjatë, mbreti u mahnit nga virtytet dhe aftësitë e tij.

"Mbreti tha: “Ma sillni atë, do ta marr pranë vetes.” Pasi bisedoi me të, i tha: “Qysh sot, ti ke pozitë të lartë dhe je i besuar.” (Jusuf, 54)

Duke qenë se Jusufi a.s gëzonte aftësi të rralla administrative dhe nga jetesa në pallatin e ministrit të financave, e dinte si shpërdoroheshin paratë e shtetit, paraqiti kërkesën që këtë ministri ta drejtonte ai vetë.

"(Jusufi) i tha: “Më cakto përgjegjës të depove të vendit, sepse unë jam ruajtës dhe njohës (i mirë i këtyre punëve)”. (Jusuf, 55)

Mbreti ia pranoi këtë kërksesë dhe menjëherë e emërtoi si ministër të financave.

"Dhe kështu, Ne i dhamë Jusufit pozitë në atë vend dhe ai kishte çfarë të dëshironte. Ne e shpërblejmë me mëshirën Tonë, kë të duam dhe, punëmirëve nuk ua humbim shpërblimin. Ndërsa shpërblimi i jetës tjetër është më i mirë për ata që besojnë dhe e kanë frikë Allahun." (Jusuf, 56)

Mbreti i la dorë të lirë Jusufit a.s në administrimin e të gjithë çështjeve administrative. Në një rrëfenjë, thuhet se mbreti i tha një ditë Jusufit a.s:"O Jusuf! Mua nuk më ka mbetur nga pushteti gjë tjetër përveç fronit ku jam ulur. Gjithçka tjetër është në dorën tënde."

Shtatë vitet e bollëkut dhe begatisë, Jusufi a.s i shfrytëzoi në mënyrën më të mirë. Të mirat materiale u shtuan jashtë mase. Ashtu siç kishte caktuar dhe planin e punës, Jusufi a.s filloi menjëherë magazinimin e prodhimit të tepërt, për të përballuar vitet e zizë. Pas shtatë vitesh bollëk, filluan shtatë vite të tjera zie dhe thatësire. Zia ebukës u përhap në të gjithë rajonin, deri në Palestinë.

Jakubi a.s bashkë me fëmijët e tjerë vazhdonin të jetonin në shkretëtirë dhe nuk i shpëtuan dot zisë së bukës. Kurse çmimi i drithit ishte rritur në përmasa të frikshme, saqë pak syresh kishin mundësi ta blenin.

Sakaq, mes njerëzve ishin përhapur fjalë se Azizi i Egjiptit, shiste drithë me të njëjtin çmim që kishte qenë para thatësirës dhe zisë. Kudo ishin ngritur çmimet, përveç në Egjipt. Kjo bëri që karvanet të vërshojnë nga të katër anët për në Egjipt për tu furnizuar me drith. Jusufi a.s u shiste drith me të njëjtin çmim që kishte qenë më parë dhe për çdo personi që ndodhej në karvan, i shiste vetëm një deve drithë. Këtë e bënte me qëllim që të shmangë matrapazët e pangopur.

"Dhe erdhën vëllezërit e Jusufit e hynë tek ai. Ai i njohu, por ata nuk e njohën." (Jusuf, 58)

Si shumë të tjerë, edhe vëllezërit e Jusufit a.s u nisën për në Egjipt për të blerë drith. Jusufi a.s i njohu menjëherë, kurse ata nuk e njohën. Menjëherë ai filloi t'i pyesë nga vinin, si quhej babai i tyre, sa vëllezër ishin, a kishin vëllezër të tjerë etj...

"Kur i furnizoi ata me ushqim të nevojshëm, u tha: “Më sillni vëllain tuaj prej babait! A nuk e shihni se unë jua jap masën të plotë dhe jam më i miri mikpritës?" (Jusuf, 59)

Përveçse u shiste drithë me të njëjtim çmim që kishte qenë para zie, Jusufi a.s u jepte disa kg më shumë. Përveç kësaj, të gjithë hallexhinjtë që vinin për të blerë drith, ishin miq të Jusufit a.s derisa të largoheshin.

"Nëse nuk ma sillni atë, nuk do të ketë më ushqim për ju dhe mos ejani tek unë!"  (Jusuf, 60)

Ai u kërkoi që herën tjetër, kur të vinin të furnizohen me drithë, të sillnin dhe vëllanë e vogël. Përndryshe, Jusufi a.s do e konsideronte këtë si tradhti dhe do i merrte si spiunë të ndonjë shteti apo mbretërie tjetër.

"Ata thanë: “Ne do të përpiqemi disi, që ta sjellim nga baba i tij dhe do ta bëjmë këtë”. (Jusuf, 61)

Veç kësaj, Jusufi a.s i urdhëroi shërbëtorët dhe punëtorët që mallin që vëllezërit e tij kishin sjellë për të shkëmbyer me drithë, t'ua kthenin sërish, por ta fshihnin bashkë me drithin. Kjo, me qëllim që herën e dytë, kur të vijnë sërish të furnizohen, të kenë mall për ta shkëmbyer.

"Jusufi u tha shërbëtorëve të vet: “Ngarkoni barrët në kafshët e tyre e ua fusni brenda paratë! Ata do t’i gjejnë ato, kur të shkojnë te familja e vet, kështu që do të kthehen përsëri te ne”. (Jusuf, 62)

Me të mbërritur në Palestinë pranë familjes së tyre, vëllezërit u mënjanuan me babanë e tyre Jakubin dhe i rrëfyen gjithçka. Ndër të tjerë i treguan dhe kërkesën e Jusufit a.s për të marrë me vete dhe Benjaminin.

"Kur u kthyen te babai i tyre, ata thanë: “O ati ynë! Nuk do të na japin më ushqim. Prandaj dërgoje me ne vëllain tonë, që të mund të marrim ushqim; të sigurojmë se ne do ta ruajmë atë!” (Jusuf, 63)

Jakubi a.s nuk e priti mirë këtë kërkesë të djemve të tij. Ai ishte zhgënjyer më parë prej tyre dhe tani e kishte të vështirë t'ju zinte besë.

"Ai u tha: “A mos vallë t’jua besoj juve, ashtu siç jua pata besuar më parë vëllanë e tij? Allahu është Ruajtësi më i mirë dhe Ai është më i mëshirshmi i mëshiruesve!" (Jusuf, 64)

Por një ndodhi tjetër do e bëjë Jakubin a.s të mendohet, madje të ndryshojë dhe mendje.

"Kur i çelën barrët e tyre dhe gjetën të hollat e tyre, që ua kishin kthyer, ata thanë: “O ati ynë! Ç’duam më tepër? Këto janë gjërat tona; na janë kthyer. Ne do ta furnizojmë familjen tonë, do ta ruajmë vëllain tonë dhe do ta shtojmë një barrë deveje (ushqim), e kjo është barrë e lehtë.” (Jusuf, 65)

Ky ministër që shet drithë me të njëjtin çmim që ka qenë para zie, madje u ktheka dhe mallin që kishin shkëmbyer me drithë nuk qenka njeri i zakonshëm. Kështu, Jakubi a.s pranoi ta dërgojë djalin e vogël Benjaminin, por më parë u mori besën.

"Ai tha: “Unë kurrsesi nuk do ta dërgoj me ju, derisa të betoheni në Allahun, se do të ma ktheni, me përjashtim të rastit kur ju rrezikon ndonjë e keqe e madhe (të gjithëve).” Kur ata u betuan, ai u tha: “Allahu është dorëzënës për atë që flasim ne." (Jusuf, 66)

Para se të nisën, Jakubi a.s i porositi që kur të hynin në Egjipt, të mos hynin të gjithë nga e njëjta derë. Kjo, pasi njëmbëdhjetë djem të rinj, mund të binin në sy dhe dikush mund t'i xhelozonte dhe merrte mësysh.

"O djemtë e mi, mos hyni nga e njëjta portë (e qytetit), por nga porta të ndryshme. Unë nuk mund të largoj prej jush asgjë nga (ajo që ju ka caktuar) Allahu! Se pushteti i përket vetëm Allahut. Tek Ai mbështetem unë dhe tek Ai le të mbështeten ata që dëshirojnë të jenë të mbështetur (tek Allahu)”! (Jusuf, 67)

Ai e dinte se syri i keq është realitet dhe se ai – siç thotë dhe profeti Muhamed a.s – e çon njeriun drejt varrit.

Kështu, kur mbërritën në Egjipt, njëmbëdhjetë vëllezërit u ndanë dhe hynë në qytet nga dyer të ndryshme.

"Kur ata hynë (në qytet), ashtu siç i urdhëroi babai i tyre, dëshira e Jakubit u përmbush, por kjo nuk i ndihmoi aspak para caktimit të Allahut. Ai (Jakubi), në të vërtetë, ka qenë dijetar i madh, sepse Ne e kemi mësuar, por shumica e njerëzve nuk e di." (Jusuf , 68)

Dijetarët myslimanë kanë debatuar rreth etiketimit të Jakubit a.s nga ana e Zotit si dijetar të madh. Ata thonë se kjo për shkak se në çdo fjali që thoshte, Jakubi a.s patjetër që do të përmendte emrin e Zotit.

"Kur dolën para Jusufit, ky e afroi vëllanë e vet (Beniaminin) dhe i tha: “Unë në fakt jam vëllai yt dhe mos u hidhëro për atë që më bënë vëllezërit tanë!” (Jusuf, 69)

Siç e kishte zakon, Jusufi a.s i strehonte të gjithë të ardhurit për të furnizuar me drithë. Kur u takuan me Jusufin a.s, ky i ndau vëllezërit nga dy persona në një dhomë dhe Benjaminin e mbajti për vete. Kur të gjithë vajtën në dhomat e tyre, Jusufi a.s mbeti vetëm me Benjaminin. Aty, ai e përqafoi fort dhe i tregoi se kush ishte.

Pasi i përgatiti për udhëtim, Jusufi a.s urdhëroi që në ngarkesën e Benjaminit, të fshihej njësia matëse e drithit.

"Pasi i furnizoi me ushqimin e nevojshëm, (Jusufi) shtiu një gotë (të çmueshme) në ngarkesën e vëllait të vet e pastaj një lajmëtar thirri:“O karvan, ju jeni vjedhës të vërtetë!” (Jusuf, 70)

Pasi kishin përshkruar një copë rrugë, ushtarët e Jusufit a.s u qepen nga pas derisa i arrijnë. Kjo ceket në ajetet e mëposhtme:

"Ata u kthyen drejt tyre (e thanë): “Ç’ju ka humbur?" Thanë: “Po kërkojmë gotën e mbretit. Kush e sjell atë, ka shpërblim një barrë deveje ushqim. Unë për këtë jam dorëzënës”. (Vëllezërit e Jusufit) thanë: “Betohemi për Allahun, ju e dini se ne nuk kemi ardhur të bëjmë turbullira në këtë vend dhe nuk jemi vjedhës”. Ata pyetën: “E cili do të jetë dënimi, nëse ju gënjeni”? (Vëllezërit) thanë: “Dënimi për atë, në barrën e të cilit gjendet gota, është që të mbahet peng ai vetë. Kështu i dënojmë ne keqbërësit.” (Jusuf, 71-75)

Sipas ligjeve të Jakubit, hajduti shndërrohej në skllav të personit që ka vjedhur. Ndërkohë që sipas ligjeve të Egjiptit, hajduti vritej. Jusufi a.s donte që i vëllai të dënohej sipas ligjit të Jakubit, pasi synonte ta mbajë në Egjipt. 

"Dhe nisi të kontrollojë barrët e tyre para barrës së vëllait të Jusufit. Pastaj nxori gotën nga barra e vëllait të tij. Kështu, Ne e mësuam Jusufin, që ta bënte këtë dredhi. Ai, sipas ligjit të mbretit nuk mund ta merrte (për skllav) vëllanë e vet, përveç se me vullnetin e Allahut. Ne e ngremë lart atë që duam, e mbi çdo të ditur është një i Gjithëdijshëm." (Jusuf, 76)

Ky ishte një plan i rregulluar nga vetë Zoti, me qëllim që Jusufi a.s ta mbante vëllanë e tij Benjaminin.

"(Bijtë e Jakubit) thanë: “Nëse ka vjedhur, më parë ka vjedhur edhe vëllai i tij!”148 Jusufi heshti për këtë dhe nuk shpalli gjë, por mendoi në vetvete: “Ju jeni në pozitë më të keqe. Allahu është më i dijshëm për ato që thoni ju”. (Jusuf, 77)

Kur kishte qenë ië vogël, Jusufi a.s i kishte vjedhur gjyshit nga nëna idhullin që ai adhuronte dhe ia kishte thyer. Këtë fakt e përmendën vëllezërit e Jusufit a.s në ajetin e mësipërm.

(Bijtë e Jakubit) thanë: “O ministër, ai e ka babanë shumë plak, andaj merr ndonjërin prej nesh në vend të tij! Ne po shohim se ti je bamirës”. (Jusufi) tha: “Allahu na ruajtë, si të marrim atë tjetrin në vend të atij te i cili e kemi gjetur sendin tonë! Atëherë, ne, me të vërtetë, do të ishim të padrejtë!” (Jusuf, 78-79)

Ata u përpoqën ta bindin Jusufin a.s që ta lërë të lirë Benjaminin, por nuk mundën.

"Meqë e humbën shpresën në të (Jusufin), u shpërndanë dhe u këshilluan fshehurazi. - Kur një beduin e dëgjoi këtë ajet dhe mënyrën si është përmbledhur e gjithë ndodhia, tha:"Për Zotin këto fjalë nuk janë fjalë njerëzish." - Më i madhi nga ata tha: “A nuk e dini që babai juaj ka marrë prej jush betimin në Allahun. Ju edhe më parë e keni shkelur betimin që bëtë për Jusufin. Nuk do të ndahem prej këtij vendi, derisa të më lejojë babai im ose të më gjykojë Allahu, sepse Ai është Gjykatësi më i mirë. Kthehuni te babai juaj dhe thoni: “O babai ynë, djali yt ka vjedhur. Ne dëshmojmë vetëm për atë që dimë. Ne nuk mund ta parashikonim të panjohurën. Pyet banorët e qytetit në të cilin kemi qenë dhe karvanin me të cilin kemi udhëtuar dhe ki besim se ne themi të vërtetën”! " (Jusuf, 80-82)

Kur e hodhën Jusufin a.s në pus, babait i thanë:"Por ti nuk na beson, edhe sikur të themi të vërtetën”. (Jusuf, 17)

"Jakubi tha: “Nuk është kështu, por ju keni kurdisur diçka. Unë do të kem durim. Shpresoj se Allahu do të m’i kthejë të gjitha, sepse Ai, në të vërtetë, është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë” U largua prej tyre dhe tha: “O i mjeri unë për Jusufin!” Sytë i ishin zbardhur prej pikëllimit dhe ishte plot zemërim." (Jusuf, 83-84)

Jakubi a.s e mbante hidhërimin dhe zemërimin në zemër, pa e shfaqur, gjë e cila ia rëndonte dhe më shumë gjendjen.

"Ata thanë: “Për Allahun, ti po e përmend Jusufin pa pushim, saqë do të sëmuresh rëndë ose do të vdesësh!” (Jakubi) tha: “Unë dhimbjen time dhe pikëllimin tim ia paraqes vetëm Allahut e nga Allahu di atë që nuk e dini ju”. (Jusuf, 85-86)

Më pas, Jakubit a.s i lind sërish një fije shpresë gjë e cila shpaloset në ajetin:

“O bijtë e mi, shkoni e kërkoni lajme për Jusufin dhe vëllain e tij dhe mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut. Shpresën në mëshirën e Allahut nuk e humb askush, përveç jobesimtarëve”. (Jusuf, 87)

Vëllezërit e Jusufit a.s mblodhën ca mallra të pavlera për t'i shkëmbyer me drithë dhe u nisën për në Egjipt.

"Kur ata dolën para Jusufit, thanë: “O ministër, ne dhe familjen tonë e ka goditur një fatkeqësi e madhe dhe kemi sjellë pak gjëra! Sidoqoftë, na e plotëso masën (për ushqimin) tonë dhe na jep lëmoshë, sepse Allahu i shpërblen dhënësit e lëmoshës”. (Jusuf, 88)

Drithi që merrnin nga Egjipti u mjaftonte vetëm për një vit. Kështu, ata i qanë hallin se u kishte mbaruar drithi, por edhe se malli që kishin sjellë për ta shkëmbyer ishte i pavlerë. Prandaj, i kërkonin që të mos i kthejë duarbosh, por t'u japë diçka, qoftë dhe në formë lëmoshe.

Jusufi a.s, duke parë se në ç'gjendje kishin përfunduar, nuk deshi që të nënshtroheshin më shumë, por u tregoi të vërtetën. 

Ai tha: “A nuk e mbani mend çfarë keni bërë me Jusufin dhe vëllanë e tij, kur ishit të paditur?” Ata thanë: “Vallë, ti je vërtet Jusufi?!” (Jusuf, 89)

Nga dita që e kishin hedhur Jusufin a.s në pus kishin kaluar njëzet e dy vite. Asokohe Jusufi a.s ishte vetëm dymbëdhjetë vjeç, kurse sot ishte tridhjetë e katër vjeç.

"Ai u përgjigj: “Po, unë jam Jusufi e ky është vëllai im. Allahu na mëshiroi. Atë që ruhet (nga gjynahet) dhe bëhet i durueshëm, Allahu e shpërblen, se Ai kurrë nuk ia humb shpërblimin punëmirëve”. Ata thanë: “Betohemi për Allahun, vërtet që Allahu të ka ngritur ty mbi ne dhe ne paskemi qenë vërtet të gabuar”. Ai u tha: “Sot s’ka qortim për ju; Allahu do t’ju falë. Ai është më i mëshirshmi i mëshiruesve! Shkoni me këtë këmishë timen dhe vëreni në fytyrën e atit tim e ai do të shohë, dhe m’i sillni tërë familjet tuaja!” (Jusuf, 90-93)

Me t'u nisur karvani nga Egjipti në për Palestinë, Jakubi a.s ndjeku erën e Jusufit a.s. Udhëtimi nga Egjipti për në Palestinë zgjaste tetë ditë.

"Kur karvani u largua nga vendi (Egjipti), babai i tyre tha:“Unë, me të vërtetë, po ndiej erën e Jusufit, ndonëse ju mund të më quani matuf ”. Ata thanë: “Për Allahun, me të vërtetë, ti edhe tani qëndron në gabimin e mëparshëm”. Kur erdhi sjellësi i lajmit të mirë dhe ia vuri këmishën në fytyrë, atij iu kthye shikimi. Ai tha: “A nuk ju kam thënë se unë di nga Allahu atë që ju nuk e dini”. Ata thanë: “O babai ynë, kërko falje për ne e për gabimet tona! Ne paskemi qenë vërtet gjynahqarë”. Ai u përgjigj: “Do ta lus Zotin tim që t’ju falë. Pa dyshim që Ai është Falësi dhe Mëshirëploti”. (Jusuf, 94-98)

Jakubi a.s nuk e luti menjëherë Zotin që t'i falë djemtë e tij, pasi e kishte zemrën të mbushur plot hidhërim e pikëllim, pikërisht prej tyre.

"Kur ata hynë te Jusufi, ai i afroi pranë prindërit e vet dhe tha:“Hyni në Egjipt! Me lejen e Allahut, ju do të jeni të sigurt prej çdo të keqeje”. Ai i ngriti prindërit e vet në fron dhe ata të gjithë iu përulën atij. – Me t'u bashkuar, të gjithë i ranë në sexhde, prindërit dhe vëllezërit. Asokohe përulja ishte e lejuar, pasi ishte formë nderimi. - Ai tha: “O babai im, ky është shpjegimi i ëndrrës sime të dikurshme. Zoti im e përmbushi atë. – siç e kemi cekur në fillim, Jusufi a.s pa në ëndërr njëmbëdhjetë yje, diellin dhe hënën që i përuleshin dhe kjo ëndërr ishte përmbushur tashmë. - Mua më bëri mirësi, kur më nxori nga burgu, kurse juve ju solli nga shkretëtira, pasi djalli pati futur ngatërresë midis meje dhe vëllezërve të mi. Vërtet, Zoti im është i Butë me kë të dojë; Ai është i Gjithëdijshmi dhe i Urti!" (Jusuf, 99-100)

Më pas, Jusufi a.s lutet:

O Zoti im! Ti më ke dhënë pushtet dhe më ke mësuar shpjegimin e ëndrrave! O Krijues i qiejve dhe i Tokës, Ti je Mbrojtësi im edhe në këtë botë, edhe në botën tjetër! Bëj që të vdes si mysliman dhe më shoqëro me punëmirët (në botën tjetër)!” (Jusuf, 101)

Pas gjithë atyre sfidave dhe sprovave nga më të ndryshmet, Jusufi a.s e luste Zotin që ta mbyllë jetën si mysliman.

Share |
Back

Search site

© 2010 Te gjitha drejtat e rezervuara