ETIKA ISLAME

HISTORIA E MUSA A.S -PJESA 2-

10/12/2010 11:06

Dialogu mes Musait a.s dhe faraonit ceket dhe në shumë ajete të tjera të Kuranit.

"Shkoni tek ai dhe i thoni: “Ne të dy jemi të dërguarit e Zotit tënd, lëshoji të bijtë e Izraelit që të vijnë me ne dhe mos i mundo! Ne të kemi sjellë ty një shenjë nga Zoti yt. Paqe mbi atë që ndjek rrugën e drejtë! "Vërtet, neve na është shpallur se dënimi do të godasë këdo, që (i) mohon (shenjat e Allahut) dhe (i) kthen shpinën (të dërguarve të Tij)”. (Faraoni) tha: “E, kush është Zoti juaj, o Musa?”  (Musai) tha: “Zoti ynë është Ai që çdo gjëje i ka dhënë trajtën e vet e pastaj e ka udhëzuar”. (Faraoni) tha: “Si është gjendja e brezave të  mëparshëm”? përse ata nuk e kanë adhuruar këtë Zotin që beson ti dhe na kërkon ta besojmë dhe ne? -  (Musai) tha: “Dijenia lidhur me ta gjendet te Zoti im, në Libër. Zoti im nuk gabon dhe nuk harron!” – me këtë, Musai a.s sikur i tërhiqte vëmendjen që të mos e shkëpusnin bisedën tek brezat e parakaluar, por të flisnin mbi atë kohë - Është Ai që Tokën e ka bërë shtrat për ju, që ju ka shtruar rrugët nëpër të dhe që lëshon ujë nga qielli, me qëllim që, nëpërmjet tij, të rriten shumë lloje bimësh të ndryshme. Hani dhe kullotni bagëtinë tuaj! Këto, me të vërtetë, janë shenja për ata që janë mendarë." (Taha, 47-54)

Kur Musai a.s i foli mbi fakte dhe prova konkrete, të cilat dëshmonin vërtetësinë e asaj që kishte thënë gjer atëherë, faraoni pranoi.

"(Musai) lëshoi shkopin e vet e ai u shndërrua në gjarpër të vërtetë! Pastaj nxori dorën e vet dhe ajo, menjëherë u duk e bardhë para shikuesve!" (Shuara, 31-32)

Ishin dy mrekulli të cilat i lanë gojëhapur faraonin dhe të pranishmit. Duke ndjerë rrezikun, faraoni ndërhyri menjëherë dhe tha:"dhe tha: “O Musa, a ke ardhur që të na nxjerrësh nga toka jonë me magjinë tënde?! Ne do të të sjellim ty një magji të ngjashme. Cakto, midis nesh dhe teje, një takim në një vend të sheshtë, ku nuk do të mungojmë as ne, as ti!” (Taha, 58)

Pra, faraoni e akuzoi Musain a.s për magji, madje e sfidoi duke e ftuar të përballej me magjistarët e tij. Kjo ishte pikërisht ajo që dëshironte dhe Musai a.s.

"(Musai) tha: “Takimi me ju është në ditën e kremtës dhe njerëzia le të tubohen paradite”. (Taha, 59)

 

Musai a.s para magjistarëve

Me të dalë para magjistarëve, Musai a.s i paralajmëroi mbi pasojat që do të kishin po të vazhdonin duke mashtruar njerëzit.

"Musai u tha atyre: “Të mjerët ju! Mos trilloni gënjeshtra për Allahun, duke bërë që Ai t’ju shkatërrojë me dënim. Do të dështojnë me siguri, ata që trillojnë gënjeshtra!” (Taha, 61)

Këta magjistarë, ishin përzgjedhur nga faraoni që në vegjëli dhe i kishte dëguar tek magjistarët më të famshëm të Egjiptit. Pasi ishin rritur, ata kishin marrë nam në të gjithë Egjiptin për magjitë e tyre. Kur i dëgjuan fjalët e mësipërme të Musait a.s, filluan të diskutojnë mes njëri-tjetrit, pasi e kuptuan që nuk ishin fjalë të një magjistari.

"Ata diskutuan me njëri-tjetrin për punën e tyre, duke pëshpëritur fshehurazi." (Taha, 62)

Me njëri-tjetrin ata e pleqëruan çështjen e Musait a.s, i cili nuk u dukej një magjistar siç ishin vetë, por seç kishte diçka ndryshe. Në fund, ata u nisën drejt faraonit të cilit i thanë:"Dhe kur erdhën magjistarët e Faraonit, thanë: “A do të shpërblehemi, nëse fitojmë?” Faraoni tha: “Po, dhe do të jeni nga më të afërmit e mi”. (Araf, 113-114)

Jo vetëm që do të shpërbleheni – nëse e thyeni me magjinë tuaj Musain – por edhe do t'u emëroj në postet më të lartë pranë meje. Kjo ua shtoi lakminë më shumë magjistarëve dhe para njerëzve deklaruan:

"Njëri prej tyre tha: “Në të vërtetë, këta (Musai dhe Haruni), janë dy magjistarë, që duan t’ju shporrin nga toka juaj me magjitë e tyre dhe të shkatërrojnë fenë tuaj tejet të mirë. Prandaj, bashkojini magjitë tuaja dhe ejani me radhë. Do të fitojë sot ai që ka epërsi!” (Taha, 63-64)

Të gjithë magjistarët u vunë në një rresht, ndërkohë që Musai a.s ndodhej përballë tyre i vetëm dhe pas tij Haruni.

"Ata thanë: “O Musa, ose hidh ti, ose të hedhim ne të parët”. (Taha, 65) 

Zoti e frymëzoi Musain a.s që të presë derisa magjistarët të demonstrojnë magjitë e tyre të parët.

"Ai tha: “Jo, hidhni ju!” Dhe ja tek i dukeshin atij litarët dhe shkopinjtë e tyre se po rendnin vërtet, për shkak të magjisë së tyre." (Taha, 66)

Dyzet magjistarët e faraonit hodhën përtokë shkopinjtë dhe litarët e tyre, të cilët menjëherë filluan të lëvizin dhe të përdridhen si të ishin gjarpërinj. Kjo skenë e magjepsi edhe vetë Musain a.s.

"Dhe ja tek i dukeshin atij litarët dhe shkopinjtë e tyre se po rendnin vërtet, për shkak të magjisë së tyre." (Taha, 66)

"Kur magjistarët hodhën shkopinjtë e tyre, i magjepsën sytë e njerëzve, i frikësuan ata dhe manifestuan një magji të madhe." (Araf, 116)

Njerëzit që e dëshmuan këtë ngjarje dhe skenë i mbërtheu paniku. Po kështu, edhe vetë Musai a.s u frikësua. "Atëherë Musai ndjeu frikë në vetvete." (Taha, 67)

Por Zoti e qetësoi Musain a.s me fjalët:"Ne i thamë: “Mos u frikëso, se, në të vërtetë, ti do të fitosh! Hidhe atë që mban në dorën e djathtë: do të gëlltisë gjithçka që kanë bërë ata, sepse ajo që kanë bërë ata, është vetëm një mashtrim i magjistarëve; e, magjistari nuk do të ketë sukses kudo që të gjendet." (Taha, 68)

Me ta hedhur bastunin e tij Musai a.s, u shndërruan në gjarpër dhe filloi të përpijë të gjithë shkopinjtë dhe litarët e magjistarëve. Kjo skenë i siguroi magjistarët se ajo që sapi kishin parë nuk mund të ishte magji.

Për të treguar se magjistarët e pranuan menjëherë këtë të vërtetë, Kurani thotë:" Atëherë magjistarët ranë në sexhde dhe thanë: “Ne besojmë në Zotin e Harunit dhe Musait”. (Taha, 70)

Ajo që kishin parë me sytë e tyre nuk ishte magji, por ishte një mrekulli me burim hyjnor. Ky reagim i magjistarëve, e xhindosi faraonin.

Ai u ngrit dhe u drejtua magjistarëve me fjalët:“Çfarë?! Ju e besuat atë, para se t’ju jap leje unë?!" (Taha, 71)

Magjistarët, kur konstatuan se ajo që sapo bëri Musai a.s nuk ishte magji, e harruan faraonin. Në sexhde ata sikur i detyroi dikush të bien. Vetë folja që është përdorur në këtë kontekst (Ulkije) do të thotë "u hodhën", pra sikur dikush i hodhi në sexhde.

Për të gjetur një justifikim dhe për të mos u demaskuar para gjithë publikut, faraoni u tha magjistarëve duke i akuzuar për komplot:"Në të vërtetë, ai (Musai a.s) është mjeshtri juaj, që ju ka mësuar magjitë." (Taha, 71)

"Në të vërtetë, ky është një komplot që keni përgatitur, me qëllim që të nxirrni nga qyteti banorët e tij! Keni për ta parë!" (Araf, 123)

Faraoni që kishte vrarë kushedi sa foshnje nga bijtë e Izraelit, i shtypte dhe i keqtrajtonte, akuzonte magjistarët dhe Musain a.s për komplot dhe qëllime të këqija. Është e njëjta propagandë, e cila sot adresohet kundër ftuesve dhe hoxhallarëve, të cilët akuzohen si terroristë dhe ekstremistë. Vetë kriminelët dhe spastruesit etnikë, akuzojnë viktimat. Sa e ngjashme e djeshmja me të sotmen!

Faraoni edhe i kërcënoi me fjalët:"Unë do t’jua këpus duart dhe këmbët tuaja të këmbyera dhe do t’ju var në trungjet e palmave. Ju do ta merrni vesh, me siguri, se cili prej nesh është më i ashpër dhe më ngulmues në ndëshkim.” (Taha, 71)

Përgjigja e magjistarëve ishte e prerë dhe nuk përmbante nota hezitimi:

"(Magjistarët) u përgjigjën: “Ne kurrë nuk do të të japim ty përparësi ndaj provave që na kanë ardhur neve dhe ndaj Atij që na ka krijuar ne. Prandaj, gjyko si të duash; ti gjykon vetëm në jetën e kësaj bote!" (Taha, 72)

Faraoni urdhëroi që të vriteshin të gjithë magjistarët që kishin besuar Musain a.s. Magjistarët ishin të parët që besuan në mesazhin e Musait a.s. Përveç magjistarëve, Musain a.s e besuan dhe tre persona të tjerë. Thotë Ibnu Abasi:"Nga egjiptianët e tjerë, nuk besuan veçse tre persona: Asija, burri që i kishte treguar Musait a.s e faraoni kërkon ta ekzekutojë pasi kishte mbytur një egjiptian dhe besoi një i tretë nga këshilltarët e faraonit, por që e mbajti besimin të fshehtë."

Faraoni u veçua me këshilltarët e tij për ta pleqëruar çështjen e Musait a.s dhe të magjistarëve. Ata e këshilluan që t'i keqtrajtojë më shumë bijtë e Izraelit.

Thotë Zoti në Kuran lidhur me këtë fakt:"Dhe, kur ai u solli atyre të Vërtetën prej Nesh, ata thanë:“Vritini djemtë e atyre që i kanë besuar atij dhe lërini të gjalla vajzat e tyre!” (Gafir, 25)

Ai filloi edhe të tallej dhe ironizojë Musain a.s me fjalët:"Faraoni tha: “Më lini ta vras Musain e ai le ta thërrasë në ndihmë Zotin e vet. Unë vërtet druhem mos ai do t’jua ndryshojë fenë tuaj ose do të shkaktojë trazira në Tokë”. (Gafir, 26)

Musai a.s nuk kishte ku të mbështetej tjetër përveçse në ndihmën e Zotit të lartësuar. "Musai tha: “Unë i lutem Zotit Tim dhe Zotit tuaj për të më mbrojtur prej çdo mendjemadhi, që nuk beson në Ditën e Llogarisë”! (Gafir, 27)

Besimtari që i përkiste familjes së faraonit, por që e mbante të fshehtë besimin e tij, iu drejtua faraonit dhe të tjerëve me fjalët:

"Por një njeri besimtar, nga të afërmit e Faraonit, i cili fshihte besimin e vet, tha: “Vallë, do të vrisni një njeri vetëm se thotë  “Allahu është Zoti im”, ndërkohë që ai ju ka sjellë shenja të qarta prej Zotit tuaj?! Nëse është gënjeshtar, atij i përket dënimi i gënjeshtrës së vet e, nëse është i drejtë, atëherë juve do t’ju godasë diçka prej asaj me të cilën ju kërcënohet ai. Vërtet, Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë atë që e tepron me të këqija dhe është gënjeshtar." (Gafir, 28)

Ishte një qëndrim fisnik i këtij besimtari, i cili i kujtonte faraonit madhështinë e Zotit dhe i kërkonte të mos e kundërshtojë profetin e dërguar prej Tij. Faraoni deshi ta keqtrajtojë dhe të hakmerret për këtë guxim, por Zoti e mbrojti.

"Por Musait nuk i besoi askush, përveç një pakice nga populli i tij, nga frika se do t’i keqtrajtonte Faraoni dhe paria e tij. Faraoni ishte vërtet një tiran në tokë dhe në të keqe kalonte çdo kufi." (Junus, 83)

Faraoni filloi të zbatojë planin dhe projektin e tij për t'ua dyfishuar bijve të Israelit dhimbjet dhe vuajtjet.

Benu Israilët vajtën tek Musai a.s dhe iu ankuan për shtypjen dhe vuajtjet. "Ata i thanë: “Ne kemi vuajtur para se të vish ti dhe ende po vuajmë”. (Araf, 129) Fëmijët tanë janë therrur para se të vije ti dhe pasi erdhe.

"Musai tha: “O populli im! Nëse besoni Allahun, mbështetuni tek Ai, nëse jeni myslimanë!” Ata thanë: “Ne jemi mbështetur tek Allahu. O Zoti ynë, mos na bëj sprovë për popullin keqbërës (duke i lënë të na shkatërrojnë), dhe shpëtona me mëshirën Tënde, nga populli mohues!” (Junus, 84)

Zoti e frymëzoi Musain a.s dhe të vëllanë e tij që në shtëpitë e bijve të Izraelit të vendosin shenja të caktuara që të njihen.

"Ne i shpallëm Musait dhe vëllait të tij: “Ndërtoni shtëpi për popullin tuaj në Egjipt, shndërrojini ato në faltore dhe falni namazin! Dhe sillu lajmin e mirë besimtarëve!” (Junus, 87)

Kjo bëhej me qëllim që kur të urdhërohen për t'u larguar nga Egjipti, ta kenë të lehtë lokalizimin e hebrenjve.

Mandej, Musai a.s e luti Zotin kundër faraonit dhe parisë së egjiptit.

Musai tha: “O Zoti ynë! Ti i ke dhënë Faraonit dhe parisë së tij stoli dhe pasuri në jetën e kësaj bote, por ata, o Zoti ynë, na largojnë nga rruga Jote! O Zoti ynë! Shkatërroje pasurinë e tyre dhe ngurtësoi zemrat e tyre, që të mos besojnë, derisa të shijojnë dënimin e dhembshëm!” (Junus, 88)

Tregojnë historianët:"Të gjithë pasuritë e faraonit dhe të elitës së Egjiptit, u shndërruan në gurë." Jo vetëm pasuritë, por edhe ushqimet me të cilat ushqeheshin çdo ditë.

"(Allahu) tha: “U pranua lutja e ju të dyve! Qëndroni të dy në rrugën e drejtë dhe kurrsesi mos ndiqni rrugën e të paditurve!” (Junus, 89)

Ata i thanë: “Ne kemi vuajtur para se të vish ti dhe ende po vuajmë”. Musai tha: “Ndoshta Zoti juaj do ta zhdukë armikun tuaj dhe do t’ju bëjë sundimtarë në Tokë, për t’ju parë se si do të veproni”. (Araf, 129)

 

Ndëshkimet e Zotit mbi egjiptianët

Kur shtypja, keqtrajtimet dhe torturat u shtuan mbi bijtë e Izraelit, Zoti çon ndëshkimin e tij kundër egjiptianëve.

"Dhe Ne e goditëm popullin e Faraonit me thatësi, me vite zie, që të zinin mend." (Araf, 130)

Ndëshkimi i parë ishte thatësira, shi nuk binte, burimet u shterën dhe niveli i Nilit ra si asnjëherë më parë. Thatësira bëri që Egjipti të kaplohej nga zia e bukës. Faraoni menjëherë e kuptoi se kjo u erdhi prej Musait a.s dhe e thirri menjëherë. Me t'u takuar, faraoni i tha:"Nëse e lut Zotin që të bjerë shi dhe të largohet thatësira, bijtë e Izraelit nuk do të vuajnë më." Musai a.s e luti Zotin që ta largojë thatësirën dhe menjëherë Nili u mbush me ujë dhe ra shi i bollshëm. Por faraoni nuk e mbajti fjalën dhe vazhdoi me shtypjen e bijve të Izraelit.

Ndëshkimi i dytë: Pakësim i frutave. Të gjithë pemët që më parë prodhonin sasi të konsiderueshme frutash, tani nuk prodhonin veçse një kokër të vetme. Palmat, nuk prodhonin veçse një bistak të vetëm me hurma. Vreshtat e rrushit nuk prodhonin veçse nga një bistak me një kokërr rrushi. Faraoni e thirri sërish Musain a.s dhe i kërkoi ta lusë Zotin që të largohej ai ndëshkim, në këmbim të mos keqtrajtimit të bijve të Izraelit. Musai a.s e luti Zotin dhe pemët u mbushëm me fruta. Megjithatë, faraoni sërish nuk e mbajti fjalën dhe nuk i lejoi bijtë e Izraelit të largohen.

"Por sa herë që u vinte ndonjë e mirë, ata thonin: “Këtë e kemi merituar!” E kur i godiste ndonjë e keqe, atë merrnin si ogur të zi që vinte prej Musait dhe popullit të tij. Por jo! Allahu ishte Ai që ua ndillte fatin e zi, ndonëse shumica e tyre nuk e dinin!" (Araf, 131)

Ndëshkimet filluan të ndjekin njëri-tjetrin. Thotë Zoti i lartësuar lidhur me këtë:

"Prandaj, Ne u dërguam atyre përmbytje, karkaleca, rriqra, bretkosa dhe gjak, si shenja të qarta, por ata madhështoheshin dhe ishin popull keqbërës." (Araf, 133)

Ajeti përmend vetëm pesë argumente dhe ndëshkime për faraonin dhe popullin e tij. Katër të tjerat i kemi cekur më lart dhe ato janë: Shkopi që shndërrohej në gjarpër, dora që shkëlqente si dielli kur futej nën sqetull, thatësira dhe mungesa e frutave.

Ndëshkimi i radhës ishte përmbytja e Egjiptit. E veçantë është se i gjithë Egjipti u përmbyt, kurse lagjet ku banonin bijtë e Izraelit nuk pësuan asgjë. Menjëherë faraoni kërkoi Musain a.s dhe iu lut të largohej ky dënim. Musai a.s e luti Zotin dhe përmbytjet u ndalën. Megjithatë faraoni vazhdoi me keqtrajtimet dhe shtypjen. Ndëshkimi tjetër ishin karkalecët, të cilët u përhapën me shpejtësi dhe shkatërruan të mbjellat e egjiptianëve. Të gjithë plantacionet me të mbjella të egjiptianëve shkatërroheshin nga karkalecat, ndërkohë ato të bijve të Izraelit nuk pësonin asgjë. Meqë faraoni nuk zinte mend, këtë ndëshkim e pasonte tjetri, morrat. Të gjithë egjiptianët u mbushën me morra në kokë dhe në të gjithë trupin. Ndërkohë që bijtë e Izraelit nuk u prekën aspak nga morrat. Sa herë që një egjiptian shtrihej të pushojë, mbulohej nga morrat.

Ndëshkimi i radhës ishin bretkosat që mbushën vendin. Sa herë që një egjiptian hapte enën të pijë ujë, gjente bretkosa brenda. Shtrihej të flerë, nuk e zinte gjumi nga kuakjet e bretkosave. Ulej të hajë vaktin e radhës dhe hapte gojë për të ngrënë, bretkosa i turrej mu në gojë.

Ndëshkimi i fundit, i cili e drobiti dhe e shkrehu fare faraonin ishte gjaku. Sa herë që një egjiptian shkonte të mbushë ujë në Nil, uji shndërrohej në gjak. Kjo nuk ndodhte me bijtë e Izraelit. Egjiptianët kur mbushnin ujë nga puset, në kova dilte vetëm gjak, kurse kovat e bijve të Izraelit mbusheshin me ujë.  Të gjendur në këtë situatë, egjiptianët shkonin tek bijtë e Izraelit të pijnë ujë. Por sa e mbushnin gotën për të pirë, shndërrohej në gjak.

"E kur i godiste dënimi, ata thoshin: “O Musa, lutju Zotit tënd për ne, meqë ka besëlidhje me ty! Nëse na liron nga kjo vuajtje, patjetër që do të të besojmë ty dhe do t’i lëmë bijtë e Izraelit të ikin me ty”. Por, kur i liruam nga vuajtja dhe erdhi afati i caktuar, ata e shkelën menjëherë premtimin." (Araf, 134-135)

Në këtë rast, faraoni dhe egjiptianët u lodhën dhe u drobitën, saqë për herë të parë faraoni pranon që t'i lërë bijtë e Izraelit të largohen nga Egjipti, në këmbim të shmangies së këtij dënimi.

Menjëherë Musai a.s i urdhëroi bijtë e Izraelit që në darkë të përgatiteshin se do të niseshin natën për t'u larguar nga Egjipti. Kjo, nga frika se mos faraoni pendohej sërish dhe nuk i lejonte të largohen.

"(Allahu i tha): “Ec bashkë me robërit e Mi natën, sepse ata do t’ju ndjekin!" (Duhan, 23)

Meqë të gjithë i n shtëpitë e njëri-tjetrin nga shenjat e vendosura më parë, filluan gjashtëqind mijë banorë, me plaçkat, fëmijët dhe kafshët, të dalin nga shtëpitë dhe të ndërmarrin udhëtimin e shpëtimit drejt Palestinës.

Të nesërmen në mëngjes, faraoni u pendua për lejen që i kishte dhënë Musait a.s për të marrë popullin e tij. Kush do u shërbente atyre tani që po iknin hebrenjtë? Ku do i merrnin skllevërit dhe krahun e punës?

"Por, kur i liruam nga vuajtja dhe erdhi afati i caktuar, ata  shkelën menjëherë premtimin." (Araf, 135)

Menjëherë ai dhe ushtria u vunë pas hebrenjve dhe Musait a.s. Thotë Zoti në Kuran:"Në agim, ata (njerëzit e Faraonit) iu afruan atyre." (Shuara, 60)

Në këtë kohë, Musai a.s bëshkë me popullin e tij kishin mbërritur në brigjet e detit të Kuq. Nga larg, ata dalluan ushtrinë e faraonit që u ishte qepur pas.

"Kur dy grupet panë njëri-tjetrin, shokët e Musait thirrën:“Me të vërtetë, na zunë!” Ai tha: “Kurrsesi! Në të vërtetë, me mua është Zoti im. Ai do të ma tregojë rrugën”. (Shuara, 61-62)

Teksa ushtria e faraonit afrohej, njerëzit e Musait a.s i kaploi tmerri dhe paniku nga ajo që i priste.

"Dhe Ne i shpallëm Musait: “Bjeri me shkopin tënd detit!” Menjëherë deti u nda dhe çdo pjesë e tij u bë si mal i madh." (Shuara, 63)

Ishte një mrekulli tjetër që Zoti ia dha Musait a.s dhe të cilën e panë me sytë e tyre hebrenjtë dhe ushtria e faraonit. Deti u nda në dy pjesë, ku secila i ngjante një mali të lartë. E veçantë është se edhe rruga ku ishte hapur deti nuk ishte e lagësht, por e thatë, që bijtë e Izraelit të kalojnë pa mundim.

"..hapu atyre një rrugë të tharë nëpër det dhe mos u frikëso se do të të kapë ndokush e as se do të mbyteni!” (Taha, 77)

Faraoni bashkë me ushtrinë qëndruan para detit. Ai kishte frikë dhe hezitoi t'i ndjekë nga pas bijtë e Izraelit, por kali i tij u turr me vrap në rrugën që ishte hapur. Pas tij u turr e gjithë ushtria. Me të kaluar izraeliti i fundit nga deti, para se faraoni të dalë, dy pjesët e detit bashkohen sërish

"Faraoni i ndoqi ata (bijtë e Izraelit) me ushtrinë e tij, por deti i mbuloi ata me dallgë të mëdha. Faraoni i solli humbje popullit të vet dhe nuk e çoi në rrugë të drejtë." (Taha, 78-79)

Ne i mbartëm izraelitët përtej detit dhe Faraoni me ushtrinë e tij i ndoqi ata nga ligësia dhe armiqësia. Por, kur po mbytej, (Faraoni) tha: “Besoj se s’ka zot tjetër përveç Atij që i besojnë bijtë e Izraelit; dhe unë jam ndër myslimanët.” – Por faraonit nuk iu pranua pendimi, pasi ishte në çastet kur konstatoi vdekjen – Zoti i lartësuar iu përgjigj: “Vallë, tani (po beson), ndërkohë që më parë ishe i padëgjueshëm dhe ngatërrestar?! Sot do të shpëtojmë vetëm trupin tënd, që të bëhesh mësim për ata që vijnë pas teje.” Por, në të vërtetë, shumica e njerëzve nuk ua vënë veshin shenjave Tona." (Junus, 90-92)

Është mrekulli tjetër që Zoti e la trupin e tij si argument për njerëzit. Ai ndodhet sot e kësaj dite si mumje në muzeun e Egjiptit. Është pikërisht mumja e Ramsisit, faraoni i Musait a.s që u mbyt në det.

Në një hadith, Xhibrili a.s i thotë profetit Muhamed a.s:"Nuk kam urryer askënd siç kam urryer faraonin. Veç të më shihje o i dërguar i Allahut, duke marrë ujë dhe duke ia mbushur me gojën, me qëllim që të mos dëshmojë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut. Kisha frikë se mos e mëshironte Zoti."

Kështu bijtë e Izraelit shpëtuan dhe e kaluan detin.

 

Edhe ne duam një idhull ta adhurojmë

Sapo kishin kaluar detin, izraelitët shohin një popull që adhuronin idhullin e tyre. Akoma ndodheshin në shkretëtirën e Sinait dhe nuk kishin mbërritur në Palestinë. Megjithatë, kërkonin të kenë një idhull që ta adhuronin.

"Ne i kaluam bijtë e Izraelit përtej detit, ku ndeshën një popull që adhuronin idhujt e vet. Ata i thanë Musait:“Na bëna edhe neve një zot, ashtu si kanë ata zota”. Musai tha:“Ju qenkeni vërtet një popull i paditur! Fenë që ndjekin këta idhujtarë, e pret shkatërrimi dhe ajo që bëjnë, është krejt pa vlerë. A mos vallë doni të kërkoj për ju zot tjetër përveç Allahut, që ju ka ngritur mbi të tjerët?!” (Araf, 138-140)

 

Benu Israilët në shkretëtirën e Sinait

Zoti i shpëtoi Benu Israilët nga shtypja dhe shantazhet e faraonit, me një mrekulli që Zoti ia mundësoi Musait a.s. Thotë Zoti i lartësuar në Kuran:

"Kujtoni se si ju shpëtuam nga populli i Faraonit, i cili ju shtypte mizorisht: jua therte djemtë e jua linte të gjalla femrat. Kjo ka qenë një sprovë e madhe për ju - nga Zoti juaj. Kujtoni se si e çamë detin e ju shpëtuam, ndërsa në praninë tuaj i fundosëm njerëzit e Faraonit." (Bekare, 49-50)

Të gjithë ngjarjet mes Musait a.s dhe popullit të tij, që nga ky moment do të zhvillohen mes malit Sina dhe Palestinës.

Pasi shpëtuan nga dhuna dhe shtypja e faraonit, Musai a.s bashkë me popullin e tij u nisën drejt malit Tur, ku Zoti i lartësuar do i shpallte Teuratin. Në malin Tur dhe për tridhjetë netë, Musait a.s do i shpallej kushtetuta (Teurati) e cila do të rregullonte marrëdhëniet mes Benu Israilëve. Duke u nisur nga fakti që Benu Israilët ishin gjashtëqind mijë dhe mezi lëviznin, dhe nga fakti që nevoja për një legjislacion ishte shumë e madhe, Musai a.s u nis para tyre për në Tur.

"Përse nxitove para popullit tënd, o Musa?” (Musai) tha: “Ja, ata, shkojnë pas gjurmëve të mia e unë nxitova te Ti, o Zoti im, për të fituar kënaqësinë Tënde”. (Taha, 83-84)

Me të mbërritur në malin Tur, për herë të dytë Musai a.s do të komunikojë direkt me Zotin e lartësuar, por pa e parë me sy. Vetë Zoti i lartësuar e ka emërtuar si të shenjtë malin Tur. Thotë Zoti në Kuran:"Zoti i tij e thirri në luginën e shenjtë të Tuvas." (Naziat, 16)

Para se të niset i vetëm, Musai a.s e vuri popullin e tij në dijeni se do të kthehej pas tridhjetë ditësh. Gjatë tridhjetë ditëve, Musai a.s agjëronte për të kënaqur Zotin e lartësuar. Por vërejti që goja i mbante erë të keqe për shkak të agjërimit, kështu vendosi të hajë për të larguar erën e keqe. Zoti e kritikoi për këtë dhe e pyeti:"Përse e prishe agjërimin?" Musai a.s iu përgjigj:"Sepse goja mbante erë tepër të keqe." Zoti i tha:"A nuk e dije se era e gojës së agjëruesit, është më e dashur për mua se era e miskut?! Prandaj, agjëro dhe dhjetë ditë të tjera!"

Kështu, Musait a.s iu desh të qëndrojë për dyzet ditë në malin Tur. Thotë Zoti në Kuran:

"Ne i premtuam Musait se do t’i flisnim pas tridhjetë netësh, të cilat ia shtuam edhe me dhjetë të tjera, kështu që takimi me Zotin e tij u bë pas dyzet netësh. Musai i tha vëllait të vet, Harunit:“Më zëvendëso te populli im, mbaj rregull dhe mos ndiq rrugën e ngatërrestarëve!” (Araf, 142)

Gjatë këtyre ditëve, Zoti i lartësuar komunikonte direkt me Musain a.s, pa ndërmjetës. Po kështu komunikonte Musai a.s me Zotin, pa ndërmjetës. Për këtë, Musai a.s njihet si "kelimullah", bashkëbisedues me Zotin pa ndërmjetës.

"Sa i takon Musait, Allahu i ka folur atij drejtpërdrejt." (Nisa, 164)

Musai a.s e shijonte në maksimum këtë nder dhe privilegj, saqë një herë ai lakmoi më shumë. Një herë, ai i kërkoi Zotit që t'ia mundësojë edhe ta shohë. Këtë e përmend vetë Zoti i lartësuar në Kuran ku thotë:"Kur Musai erdhi në kohën e caktuar dhe Zoti foli me të, ai tha: “O Zoti im, shfaqu që të të shoh” Zoti tha: “Ti nuk mund të më shohësh! – Është e pamundur që krijesat ta shohin Zotin në këtë botë. Thotë Zoti në një ajet tjetër:" Shikimet njerëzore nuk mund ta arrijnë Atë, ndërkohë që Ai i arrin shikimet e të gjithëve." (En'am, 103) Pasi profeti Muhamed a.s ishte kthyer nga udhëtimi i Miraxhit, Aisheja e pyet:"Po a tu dha rasti ta shohësh Zotin direkt?!" Profeti a.s i përgjigjet:"Ishte gjithçka nur, e cila nuk ma mundësonte ta shoh." Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:"Perdja që na pengon ta shohim është prej nuri dhe në çastin që e zbulon, djeg gjithçka që gjendet para."

Mandej, Zoti i tha Musait a.s:"Por shiko në atë mal: nëse ai mbetet në vendin e vet, atëherë ti do të më shohësh Mua”. E kur Zoti i tij iu shfaq malit, e thërrmoi atë dhe e bëri pluhur, ndërsa Musait i ra të fikët. Kur erdhi në vete, ai tha: “I lavdëruar qofsh Ti o Zot! Kthehem te Ty i penduar. Unë jam i pari i besimtarëve!” (Araf, 143)

Tregon Abdullah ibnu Abasi:"Zoti iu shfaq malit sa mollëza e gishtit të vogël."

Megjithatë, i gjithë mali u shkri para syve të Musait a.s dhe u zhduk në çast. Një skenë e tillë e bëri Musain a.s të humbasë vetëdijen. Kur erdhi më vete, ai demonstroi pendim dhe përulje para madhështisë së Zotit.

Pas gjithë kësaj, Zoti i tha Musait a.s:"O Musa! Unë të kam zgjedhur ty mbi të tjerët - me kumtet e Mia dhe të Folurin Tim (pa ndërmjetës, por të drejtpërdrejtë). Merre atë që ta kam dhënë dhe bëhu mirënjohës!” (Araf, 144)

Kështu, Zoti i shpalli Musait a.s Teuratin, i cili ishte i shkruar në pllaka guri.

"Ne i shkruam në Pllaka udhëzime dhe shpjegime për gjithçka: “Merri këto me bindje dhe urdhëroje popullin tënd që t’i përvetësojë në mënyrën më të mirë. Unë do t’ju tregoj shtëpinë e të pabindurve." (Araf, 145)

 

Benu Israilët adhurojnë viçin

Gjatë dyzet ditëve që Musai a.s qëndroi në malin Tur, mes popullit të tij, Benu Israilëve, zhvilloheshin ngjarje të rrezikshme dhe me pasoja. Thotë Zoti i lartësuar në Kuran lidhur me këtë ngjarje:

"Përse nxitove para popullit tënd, o Musa?” (Musai) tha: “Ja, ata, shkojnë pas gjurmëve të mia e unë nxitova te Ti, o Zoti im, për të fituar kënaqësinë Tënde”.  (Allahu) tha: “Ne e vumë në provë popullin tënd gjatë mungesës tënde, e Samiriu i nxori ata nga rruga e drejtë”. (Taha, 83-85)

Gjatë ditëve të fundit të qëndrimit të Musait a.s në Tur, Zoti i rrëfeu se një person nga populli i tij, i quajtur Samiri, ishte bërë shkaktar që Benu Israilët të devijonin nga udha e drejtë.

Musai a.s, me të marrë pllakat e gurit të cilat përmbanin mesazhin hyjnor të Zotit dhe plot urtësi, mori rrugën e kthimit për tek populli i tij.

Zoti i lartësuar e përmend në Kuran pikëllimin dhe emocionet e Musait a.s për atë që kishte ndodhur. "Musai u kthye te populli i vet i zemëruar dhe i pikëlluar." (Taha, 86)

Para se të nisej për në Tur, Musai a.s u kishte premtuar se do të qëndronte atje vetëm tridhjetë ditë. Benu Israilët, kur panë se Musai a.s nuk po kthehej filluan të hamendësojnë. Haruni a.s, vëlla i Musait a.s u tha:"Kam frikë se kemi bërë ndonjë gjynah!"

Në fakt, Benu Israilët kur u larguan nga Egjipti kishin marrë me vete shumë flori dhe stoli të argjendta, të cilat nuk u përkisnin atyre. Duke qenë se gratë izraelite ishin të varfëra, u kërkonin stolitë e argjendta hua grave egjiptiane me të cilat kishin shoqëri dhe ato ua jepnin. Kur Musai a.s i urdhëroi Benu Israilët ta linin Egjiptin, gratë çifute e kishin të pamundur t'ua kthenin shoqeve të tyre egjiptiane stolitë, kështuqë i morën me vete.

Duke e ditur një fakt të tillë, Haruni a.s u tha:"Kam frikë se jemi ndëshkuar për shkak të këtij floriri që nuk na përket neve. Këto stoli as nuk na lejohet t'i përdorim – pasi nuk janë tonat – dhe as nuk mund t'i kthejmë sërish në Egjipt. Prandaj, propozoj ta groposim."

Menjëherë të gjitha gratë e sollën floririn e huazuar nga egjiptianet dhe e groposën në tokë. Një burrë nga populli i Musait a.s, që quhej Samirij, e çgroposi floririn, e shkriu dhe me të bëri një skulpturë viçi.

Këtij njeriu, Zoti i kishte dhënë disa aftësi që nuk i gëzonte tjetër kush. Ai e kishte të mundur të dallojë Xhibrilin a.s teksa kalonte. Kështu, një ditë ai e kishte parë Xhibrilin a.s teksa udhëtonte me kalë. Kudo që kali hidhte këmbët, vendi  gjelbërohej menjëherë. Samirij, shkon tek vendi ku kali i Xhibrilit a.s kishte prekur tokë dhe merr një grusht dhe, të cilin ia hedh viçit të argjendtë. Menjëherë, viçi filloi të pëllasë. Ai vajti tek Benu Israilët dhe pasi u tregoi për viçin, u tha:"Ky është Zoti të cilin kërkon Musai. Me t'u kthyer, Musai do e adhurojë bashkë me ne këtë viç." Mandej, ai u kërkoi ta adhurojnë viçin e argjendtë. Të gjithë këto zhvillime, ngjanë gjatë dhjetë ditëve të fundit të qëndrimit të Musait a.s në Tur. Shumica e Benu Israilëve iu bindën Samiriut dhe e adhuruan viçin, ndërkohë që vetëm një pakicë e refuzuan dhe pritën të vijë Musai a.s.

Kur Musai a.s u kthye nga takimi me Zotin në malin Tur, u zemërua nga ajo që gjeti. Thotë Zoti i lartësuar duke e përshkruar këtë moment:"Musai u kthye te populli i vet i zemëruar dhe i pikëlluar. Tha:“O populli im, vallë, a nuk ju dha Zoti juaj një premtim të mirë? A mos ju duk e gjatë koha (e përmbushjes së premtimit) apo dëshironi që t’ju godasë zemërimi i Zotit tuaj?! Prandaj nuk i jeni përmbajtur premtimit që më dhatë?!” (Taha, 86)

Siç e cekëm dhe më lart, vetëm një pakicë nga Benu Israilët, bashkë me ta dhe Haruni a.s, nuk e adhuruan viçin, por pritën Musain a.s.

Share |
Back

Search site

© 2010 Te gjitha drejtat e rezervuara