ETIKA ISLAME

HISTORIA E MUSA A.S -PJESA 1-

10/12/2010 11:03

Historia e profetit Musa a.s

 

Një ndër historitë më të shquara dhe madhështore që rrëfen Kurani fisnik, është ajo e profetit Musa a.s, një nga pesë të dërguarit e vendosur. Historia e këtij profeti legjendar ceket në shtatëdhjetë e tre vende në Kuran.

Gjatë koleksionimit të ngjarjeve dhe rradhitjes së tyre kam ndeshur shumë vështirësi. Kjo, pasi të gjithë ata që kishin shkruar dhe komentuar historinë e Musait a.s, nuk kanë ndjekur një rend kronologjik të saktë të ngjarjeve.

 

Por edhe kur ndjekin një rend kronologjik të saktë, hapërdahen me rrëfenja izraelite, duke u larguar nga thelbi i historisë. Këto rrëfenja është mirë dhe duhet të mbahen larg historive të profetëve të Zotit, me qëllim që ta kuptojmë sa më drejt Kuranin famëlartë.

Gjatë gjithë punës time për këtë histori dhe të tjera, jam rrekur që ngjarjet t'i lidh me Kuranin fisnik, pasi ai përbën referencën origjinale për histori të tilla. Ai është e vërteta që nuk cenohet aspak nga e padrejta dhe kota.

Prej nesh kërkohet që ta lexojmë dhe ta përjetojmë Kuranin fisnik. Përjetimi i Kuranit ndodh kur ne e lexojmë me përkushtim dhe meditojmë rreth asaj që lexojmë. Nëse lexon por nuk e kupton atë që lexon, e ke të pamundur edhe përkushtimin dhe meditimin mbi konceptet që ceken në Kuran. Për këtë, në historinë e Musait a.s unë i jam referuar kryesisht Kuranit, me qëllim që të na lehtësohet të kuptuarit e tij.

"Ta Sin Mim. Këto janë vargjet e Librit të qartë! Ne do të të tregojmë ty pjesë nga historia e Musait me Faraonin, ashtu siç ka qenë me të vërtetë, për njerëzit që besojnë." (Kasas, 1-3)

Ajetet e Kuranit përmbajnë kujtesa dhe këshilla për besimtarët, kurse për jobesimtarët e devijuar nga udha e Zotit, përmbajnë paralajmërime.

Profeti Musa a.s është nderuar nga Zoti, pasi i ka foluar direkt dhe pa ndërmjetës. Thotë Zoti i lartësuar:"Trego në Libër edhe për Musain! Njëmend, Ai ishte i përzgjedhur ishte i dërguar dhe profet." (Merjem, 51)

Musai a.s ishte i përzgjedhur prej Zotit dhe në shërbim të Tij, larg cytjeve dhe tundimeve të shejtanit.

Musai a.s ishte biri i Imranit, biri i Kahit, biri i Lavit, biri i Jakubit, biri i Ibrahimit a.s.

Natën që u ngjit në qiej, profeti Muhamed a.s u takua edhe me Musanë a.s, të cilin e përshkruan:"Musai a.s ishte shumë zeshkan dhe i bëshëm..."

Lidhur me fuqinë dhe forcën e tij fizike, thuhet se ishte ekuivalente me atë të dhjetë burrave. Gjithashtu, thuhet se Musai a.s vuante nga belbëzimi.

Këtë fakt e përmend dhe faraoni, i cili u drejtohet këshilltarëve duke stigmatizuar Musanë a.s:"Vallë, a nuk jam unë më i mirë se ky i mjerë, i cili mezi mund të shprehet?" (Zuhruf, 52)

Megjithatë, kjo e metë nuk e pengoi të zgjidhej si i dërguar i Zotit dhe profet, madje të renditet tek pesë të dërguarit e vendosur.

Edhe vetë Musai a.s e pranon këtë të metë në të folur, ku thotë në një ajet:

"Vëllai im, Haruni, është më gojëtar se unë në të folur." (Kasas, 34)

Bijtë e Israilit (Jakubit a.s) u shpërngulën nga Palestina dhe u vendosën në Egjipt, në kohën e Jusufit a.s. Historianët thonë se kur hynë në Egjipt ishin vetëm tridhjetë e gjashtë persona. Gjatë qëndrimit të tyre, ata u shtuan dhe u shumuan, saqë kur e lanë Egjiptin me Musanë a.s, ishin gjashtëqind mijë frymë.

Sunduesi i Egjiptit asokohe quhej faraon, siç quhej Nexhashij sunduesi i Abisinisë, çezar sunduesi dhe sovrani i Romës dhe kisra sunduesi i Persisë. Faraoni që sundonte Egjiptin në kohën e Jusufit a.s quhej Rejjan ibn Velid. Edhe pse e dinte se Jusufi a.s nuk kishte të njëjtën fe, madje ishte i huaj, ai i kishte lënë dorë të lirë të administrojë mbretërinë e tij, pasi kishte besim në aftësitë e Jusufit a.s. Gjatë jetës së Jusufit a.s, bijtë e Israilit jetuan si mbretër në Egjipt.

Pas vdekjes së faraonit Rejjan, në fron erdhi Kabus ibn Musab, i cili njihet si zullumqar dhe qafir. Ai u soll shumë keq me bijtë e Israilit, të cilët i keqtrajtoi dhe i shtypi. Pas faraonit Kabus, në fron erdhi Velid ibnu Musab, vëllai i tij, gruaja e të cilit ishte Asija bintu Muzahim. Thotë profeti Muhamed a.s lidhur me Asijen:"Nga burrat janë përsosur shumë syresh, por nga gratë nuk janë përsosur veçse katër:"Asija, gruaja e faraonit, Merjeme bintu Imran, Hadixhe bintu Huvejlid dhe Fatime bintu Muhamed."

Fillimisht, faraoni deshi ta marrë me forcë si skllave, por babai i saj e kundërshtoi me pretekstin se ishte e vogël. Faraoni i tha:"Jo, nuk është e vogël." Babai i Asijes i tha:"Atëherë jepi dhuratën martesore!" dhe faraoni pranoi. Babai vajti tek Asija dhe i tha:"Faraoni dëshiron të martohet me ty." Asija e pyeti:"E si të martohem me një qafir?!" Babai iu përgjigj:"Atëherrë do të marrësh më qafë veten dhe familjen tënde."

Kjo e bëri Asijen të pranojë të martohet me faraonin, pasi kishte refuzuar të shkojë tek ai si skllave. Edhe pse jetonte me faraonin qafir, ajo ishte besimtare.

Faraoni Velid ibn Musab ishte tiran me gjithë kuptimin e kësaj fjale. Zullumet e tij ishin të panumërta, saqë filloi të pretendojë se ishte zot.

“O pari! Unë nuk di që për ju ka tjetër zot përveç meje!" (Kasas, 38)

“Unë jam zoti juaj më i lartë!” (Naziat, 24)

Kështu, ai pretendonte se gëzonte cilësi hyjnore, si ato të Zotit të lartësuar dhe të Gjithëpushtetshëm.

"Ne do të të tregojmë ty pjesë nga historia e Musait me Faraonin, ashtu siç ka qenë me të vërtetë, për njerëzit që besojnë. Me të vërtetë që Faraoni madhështohej në Tokë dhe banorët e saj i kishte përçarë në grupe; disa prej tyre i përndiqte, ua vriste fëmijët meshkuj, ndërsa femrat ua linte gjallë. Ai ka qenë vërtet keqbërës." (Kasas, 3-4)

Ai i kishte ndarë egjiptianët në shtresa, ku shtresa më e ulët ishin pikërisht bijtë e Israilit, të cilët i kishte shndërruar në skllevër të tij. Ata i përdorte në punët më të rënda, kurse gratë i përdorte si skllavet e tij.

Bijtë e Israilit ishin në pritje të realizimit të profecisë sipas së cilës do të shfaqej dikush nga familja e faraonit që do i shpëtonte. Disa mendojnë se këtë profeci e kishte parë vetë faraoni në ëndërr. Ai kishte parë një zjarr të madh që dilte nga Jeruzalemi dhe mbërrinte në Egjipt, ku digjte gjithçka përveç zonës ku banonin bijtë e Israilit. Menjëherë ai kishte mbledhur fallxhorët dhe magjistarët për ta pleqëruar këtë ëndërr. Ata i thanë se sipas ëndërrës, tek Bijtë e Israilit do lindë një foshnje, i cili do të rrënojë pushtetin e faraonit.

Menjëherë, ai nxjerr një dekret sipas të cilit duhej të vritej çdo foshnje mashkull që lind tek Bijtë e Israilit. Asokohe, Haruni kishte lindur dhe i shpëtoi këtij vendimi. Kurse nëna e tij, ishte shtatzënë me Musanë a.s.

Sipas urdhrit të faraonit, gratë shtatzëna duheshin lënë të qeta derisa të lindnin. Nëse lindnin meshkuj, të porsalindurit ekzekutoheshin në çast, në të kundërt jo.

"ua vriste fëmijët meshkuj, ndërsa femrat ua linte gjallë."(Kasas, 3-4)

Faraoni dërgonte mami në lagjet e Bijve të Israilit, për të kontrolluar gratë shtatzëna dhe ato që kanë lindur. Nëse ndonjëra prej tyre nuk tregonte se kishte lindur ndonjë foshnje dhe zbulohej, vritej mamija.

Gjatë kësaj kohe, nëna e Musait a.s e kishte mbajtur të fshehtë shtatzaninë e saj. Ajo nuk shfaqej para njerëzve, por edhe kur shfaqej, bënte gjithçka që mos i dukej barra. Ajo arriti të mos bie në sy derisa lindi. Kur pa se i porsalinduri ishte djalë, ajo e pati të vështirë ta mbajë të fshehtë. Gjatë tentativave për ta mbajtur të fshehtë, Zoti e frymëzoi që ta hedhë në lumin Nil.

"Kështu, Ne e frymëzuam nënën e Musait: “Jepi gji atij dhe, kur të trembesh për sigurinë e tij, hidhe në lumë, pa pasur frikë dhe as dëshpërim. Me siguri që Ne do të ta kthejmë ty atë dhe do ta bëjmë të dërguar.” (Kasas, 7)

Një i ditur, El-asmeij, dëgjoi një ditë një skllave duke recituar vargje poezie plot elokuencë. Ai i tha:"Sa fjalë madhështore!" Skllavja iu përgjigj:"Jo. Nuk ka fjalë më madhështore se ajeti:"Kështu, Ne e frymëzuam nënën e Musait: “Jepi gji atij dhe, kur të trembesh për sigurinë e tij, hidhe në lumë, pa pasur frikë dhe as dëshpërim. Me siguri që Ne do të ta kthejmë ty atë dhe do ta bëjmë të dërguar.”

Aty përmenden dy lajme të reja, dy urdhëresa dhe dy sihariqe.

Kontrollet e ushtarëve të faraonit u shtuan në shtëpitë e Benu israilëve, gjë e cila e detyroi nënën e Musait a.s të veproi sipas frymëzimit. Ajo e mori, e vendosi në një sënduk dhe e hodhi në lumin Nil. Vajzës i kërkoi ta ndjekë përgjatë bregut derisa të qëndrojë në ndonjë vend.

"Ajo i tha motrës së Musait: “Shko pas tij!” E motra e vrojtonte atë nga larg, pa u parë nga të tjerët." (Kasas, 11)

Sënduku ku qëndronte Musai a.s qëndroi në bregun ku ndodhej pallati madhështor i faraonit. Patjetër që diçka ndodhte me vullnetin dhe dëshirën e Zotit të lartësuar.

"Por atë e mori nga lumi familja e Faraonit, me qëllim që një ditë ai të bëhej armik dhe t’u sillte mjerim atyre, sepse Faraoni, Hamani dhe ushtria e tyre kanë qenë gjynahqarë." (Kasas, 8)

Në rrëfenjat izraelite thuhet se Asija e dalloi se foshnja rrjedh nga Benu Israilët, por këtë e mbajti të fshehtë ndaj faraonit dhe të tjerëve. Ndërkohë që në fakt, të gjithë e kuptuan se ai ishte prej Benu Israilëve. Vetë Asija ishte sterile, e paaftë për të lindur dhe kur e pa foshnjën e porsalindur u gëzua dhe u lidh pas tij.

"Gruaja e Faraonit i tha atij: “Ky (djalë) është gëzim për mua dhe ty, prandaj mos e vrisni, sepse mund të jetë i dobishëm ose mund ta birësojmë”. Por ata nuk e dinin se çfarë po bënin." (Kasas, 9)

Faraoni iu përgjigj të shoqes:"Ky është gëzim për ty dhe jo për mua." Thotë profeti Muhamed a.s:"Sikur të kishte thënë është gëzim edhe për mua, nuk do ishte ndëshkuar." Dhe në fakt, Musai a.s ishte gëzimi më i madh për Asijen.

Ndërkohë, nëna e Musait a.s ishte shumë e shqetësuar në lidhje me atë që e priste foshnjen e saj të dashur.

"Ndërkohë, zemra e nënës së Musait u bë si të ishte e zbrazët. Edhe pak dhe çdo gjë do të zbulohej, sikur të mos ia kishim forcuar Ne zemrën, që të bëhej besimtare e vërtetë." (Kasas, 10)

Ajo ishte indiferente ndaj gjithçkaje tjetër, sikur asgjë nuk ekzistonte. Nga meraku dhe shqetësimi ishte gati të dalë rrugëve të vajtojë dhe ta publikojë se e hodhi djalin e saj. Por Zoti i kishte premtuar se do ia kthejë të porsalindurin që të qetësohet. Ky ishte sihariqi i parë.

Në pallatin e faraonit, Musai i porsalindur refuzonte të pijë qumësht nga të gjithë mëndeshat që i ofruan. Shërbëtorët dolën me të porsalindurin në treg, me shpresë se mos gjejnë ndonjë mëndeshë të re të cilën do e pranojë. Por i porsalinduri vepronte në atë mënyrënë sipas urdhrit dhe vullnetit të Zotit.

"Ne bëmë që ai të mos pranonte asnjë mëndeshë. Kështu, e motra i tha atyre (që kishin birësuar Musain): “A doni t’ju gjej një familje, e cila do të kujdeset për të, duke e edukuar me kujdes?” (Kasas, 12)

Shërbëtorët e pyetën motrën e Musait a.s:"Po ti ku e di se do të kujdesen dhe do e edukojnë siç duhet?!" Ajo u përgjigj:"Ata janë një familje e varfër dhe nevojtare, nëse e dinë se ky i porsalindur vjen nga pallati i faraonit dhe për këtë do të shpërblehen, do të bëjnë gjithçka për t'u përkujdesur për të. Në këtë shtëpi, ndodhet një grua e mirë, gjirin e të cilës nuk e ka refuzuar asnjë i porsalindur."

Shërbëtorët pranuan të shkojnë në shtëpinë e kësaj gruaje dhe me t'ia afruar Musain, filloi të pijë nga gjiri i nënës së tij. Kur dëgjoi mbi këtë Asija, kërkoi të takohet me të dhe i kërkoi të qëndrojë në pallatin e faraonit që të mëkojë Musain. Por e ëma refuzoi me pretekstin se kishte fëmijë të tjerë në shtëpi për të cilët i duhej të kujdesej. Atëherë Asija pranoi që ta marrë Musain në shtëpinë e saj të thjeshtë, bashkë me shumë dhurata. Vetë nëna e Musait a.s u nderua si askush tjetër, saqë edhe komandantët e faraonit i bënin dhurata të shumta, pasi ajo shihej si kujdestarja dhe dadoja e djalit të faraonit. 

"Kështu, Ne e kthyem atë te nëna e vet, që ajo të gëzohej e të mos pikëllohej dhe që ta dinte se premtimi i Allahut është i vërtetë; por, shumica e njerëzve nuk e dinë." (Kasas, 13)

Musai a.s u rrit mes shtëpisë së prindërve të tij dhe pallatit të faraonit. Kur mbushi moshën tetëmbëdhjetë vjeçare, ai dallohej për urtësi dhe mençuri.

"Dhe, kur ai arriti moshën madhore dhe pjekurinë e duhur, Ne i dhamë atij mençuri dhe dituri. Kështu, i shpërblejmë Ne ata, që bëjnë punë të mira." (Kasas, 14)

Disa interpretues të Kuranit mendojnë se Musait a.s iu dha profecia në këtë moshë, por ky mendim nuk është i drejtë. Në këtë moshë, Musai a.s ishte në fenë e Benu Israilëve, fenë e gjyshërve të tij Jusufit a.s, Jakubit a.s dhe Ibrahimit a.s.

Një ditë, Musai a.s lëvizte rrugëve të qytetit, në një kohë kur njerëzit e tjerë ishin mbyllur në shtëpi. Disa mendojnë se ishte koha e pushimit të drekës dhe disa të tjerë thonë se ishte në mbrëmje. Thotë Zoti lidhur me këtë ngjarje:

"Një herë Musai hyri në qytet, pa u vënë re nga banorët e tij. Atje pa dy njerëz që rriheshin. Njëri ishte nga të vetët, kurse tjetri ishte nga kundërshtarët. Ai i grupit të vet i kërkoi ndihmë kundër atij të popullit armik. Dhe Musai i ra me grusht atij, duke e vrarë." (Kasas, 15)

Një egjiptian dhe një izraelit po ziheshin dhe superioriteti i egjiptianit dukej qarë. Menjëherë Musai a.s vajti dhe e goditi me grusht egjiptianin, gjë e cila i shkaktoi atij vdekjen e menjëhershme. Musai a.s asokohe gëzonte shëndet dhe fuqi të pakrahasueshme me bashkëmoshatarët e tjerë. Me një grusht të vetëm, ai e çoi në botën tjetër egjiptianin. Musai a.s nuk synoi ta vrasë, por thjesht ta largojë nga izraeliti të cilin po e dhunonte. Kur pa çfarë ndodhi, Musai a.s mbeti gojëhapur dhe tha:"Kjo është punë e djallit! Ai është armik i betuar i njeriut dhe ngatërrestar i hapur!" (Kasas, 15)

Ai ia atribuoi shejtanit faktin që nuk e kishte marrë në konsideratë fuqinë e tij. Nga vetë fjalët, kuptohet që Musai a.s e njihte shejtanin, ngatërresat dhe armiqësinë që i kishte shpallur racës njerëzore. 

Musai a.s u pendua dhe u bë pishman për atë që sapo kishte ndodhur.

"O Zoti im! Njëmend, Unë i kam bërë keq vetes, andaj më fal!” Dhe Ai e fali. Pa dyshim, Ai është Falësi e Mëshirëploti." (Kasas, 16)

Meqë ishte një gjynah që ndodhi padashje dhe në gjaknxehtësi e sipër, Zoti ia fali.

"Musai tha: “O Zoti im! Falë të mirave që më ke dhënë, unë nuk do të bëhem ndihmës i të këqijve!” (Kasas, 17)

Meqënëse Zoti ia fali këtë gjynah, Musai a.s u betua se kurrë nuk do të bëhet dorë e kriminelëve dhe njerëzve të ligë.

Edhe pse Zoti ia fali këtë gjynah, Musai a.s u frikësua nga ndonjë hakmarrje, pasi sapo kishte vrarë një egjiptian. çfarë duhej të bënte?

Të nesërmen në mëngjes, teksa ecte plot kujdes Musai a.s përballet me të njëjtën skenë dhe me të njëjtin izraelit që kishte ndihmuar një ditë më parë duke u ngatërruar me një egjiptian tjetër. Thotë Zoti në Kuran:

"Teksa Musai ecte në mëngjes i frikësuar në qytet, duke pritur se ç’do të ndodhte, kur ai që të djeshmen e kishte thirrur në  ndihmë, e thirri sërish në ndihmë. Musai i tha: “Ti qenke tamam një ngatërrestar i hapur!” (Kasas, 18)

Megjithatë i erdhi keq për izraelitin dhe u turr t'i vijë në ndihmë. Në atë çast, egjiptiani i frikësuar i tha:

"Dhe, kur deshi të sulmonte atë që ishte armik i të dyve, ai i tha: “O Musa, a do të më vrasësh edhe mua, siç vrave atë tjetrin dje?! Ti dëshiron vetëm që të bëhesh dhunues në tokë e nuk dëshiron të bëhesh nga ata që ndreqin e vendosin drejtësi”. (Kasas, 19)

Pra, duket që lajmi se Musai a.s kishte vrarë një egjiptian ishte përhapur tashmë në qytet dhe të gjithë e dinin.

Disa interpretues të Kuranit, mendojnë se ai që i tha fjalët e mësipërme ishte izraeliti, i cili mendoi se Musai do qëllojë atë sot, pasi e akuzoi si ngatërrestar.

Musai a.s, duke ndjerë rrezikun që i kanosej, u fsheh. Një mik dhe shok i tij në pallatin e faraonit, e gjeti dhe i kërkoi të largohej menjëherë nga Egjipti pasi faraoni kishte vendosur ta ekzekutojë.

"Aty erdhi një njeri, duke nxituar prej skajit të qytetit, e tha:“O Musa, paria është mbledhur e po bisedon për të të vrarë, prandaj ik, sepse po ta jap një këshillë të sinqertë”. (Kasas, 20)

Vetë faraoni nuk e deshte Musain a.s dhe kjo u pa që ditën e parë që e gjeti e shoqja. Po kështu, edhe paria e Egjiptit e urrenin, pasi e dinin se i përkiste Benu Israilëve. Tashmë ishin krijuar kushtet e duhura për ta hequr qafe Musain.

"Musai doli prej qytetit i frikësuar, duke pritur se ç’do të ndodhte dhe tha: “O Zoti im, më shpëto prej popullit keqbërës!” (Kasas, 21)

E ku të shkonte Musai a.s, ndërkohë që të gjithë ishin vënë në kërkim të tij për ta hequr qafe? Ai nuk kishte me vete as ushqim për udhëtim, as ujë, as kafshë dhe as nuk e njihte rajonin. Pa e ditur se ku po shkon, ai udhëtoi në shkretëtirë derisa arriti në Palestinë. Të gjithë këtë distancë ai e përshkoi në këmbë, ku iu grisën këpucët që kishte veshur dhe e plotësoi rrugën këmbëzbathur. Duke qenë se nuk kishte as ushqim, ai ushqehej me gjethe pemësh.

Musai a.s vazhdoi udhëtimin gjersa arriti në Medje, fshatin ku banonte dhe jetonte profeti i Zotit, Shuajbi a.s. Kjo ishte pasi Zoti e kishte shkatërruar dhe ndëshkuar popullin e Shuajbit, të cilët adhuronin një pemë.

"Kur arriti tek pusi i Medjenit, ndeshi rreth tij shumë njerëz që u jepnin ujë kafshëve. Përveç tyre, ai vuri re dy vasha që po mbanin kafshët e veta. Ai tha: “Si e keni hallin ju?” Ato thanë: “Ne nuk u japim ujë, pa u larguar barinjtë. Babai ynë është shumë plak”. (Kasas, 23)

Në Medjen, ndodhej një pus uji, ku njerëzit mbushnin ujë për vete dhe për kafshët. Ujin që mbushnin nga pusi, ata e derdhnin nga lugje, ku pinin më pas kafshët e secilit. Ndërkohë që të gjithë njerëzit mbushnin ujë dhe u jepnin të pijnë bagëtive, dy vajza të reja qëndronin mënjanë me bagëtinë e tyre. Musai a.s u afrua dhe i pyeti përse qëndronin mënjanë dhe nuk u jepnin ujë bagëtisë. Vajzat u justifikuan se nuk donin të përziheshin me burrat e tjerë. Menjëherë Musai a.s vajti dhe mbushi ujë për bagëtinë e dy vajzave dhe pasi u larguan, Musai a.s u ul nën hijen e një peme.

"Kështu, Musai u dha ujë kafshëve të tyre e pastaj u kthye te një hije dhe tha: “Zoti im, çfarëdo dhuntie që të më japësh, unë jam nevojtar!” (Kasas, 24)

Tregon Abdullah ibnu Abasi:"Kur Musai a.s mbërriti në Medjen, i ishte rrjepur lëkura e këmbëve nga udhëtimi këmbëzbathur, kurse barku i ishte ngjitur me shpinën nga uria."

Njëra nga dy vajzat, e dëgjuan lutjen e mësipërme të Musait a.s dhe me të mbërritur në shtëpi, i rrëfyen babait të tyre gjithçka që kishte ndodhur. Ato e panë që ai ishte njeri i fisëm dhe shpirtmadh dhe vendosën që ta ftojnë në shtëpi që ta shpërblejnë.

"Më vonë, njëra nga ato dyja, erdhi me ndrojtje dhe i tha:“Babai im të fton për të të shpërblyer, se i dhe ujë (tufës sonë)”. (Kasas, 25)

Siç e cekën dhe ajeti, vajza erdhi me ndrojtje tek Musai a.s dhe e ftoi në shtëpi. Gjatë rrugës, Musai a.s ecte para kurse vajza pas dhe sa herë që i duhej t'i tregojë drejtimin që duhej të ndiqte, vajza i hidhte një guralec në drejtimin e duhur. Një nga tiparet dalluese të një vajze myslimane është edukata dhe morali i turpit. Këtë e shohim të pasqyruar tek vajza e një profeti dhe bashkëshortja e një profeti. Kjo vajzë, ishte vajza e profetit Shuajb a.s dhe më pas do të martohet me vetë Musain a.s.

"Kur Musai shkoi tek ai dhe i tregoi çfarë kishte përjetuar, ai tha:“Mos u frikëso, sepse ke shpëtuar prej një populli keqbërës!” “O babai im, - tha njëra nga ato të dyja - merre këtë njeri në shërbim! Sigurisht që njerëzit e fortë dhe të besueshëm janë më të mirët, që dikush mund të marrë në shërbim”. (Kasas, 25-26)

Cilësitë më kryesore që duhet të përmbushë një punonjës janë aftësia dhe besueshmëria. Përveç aftësive të tij, ai duhet të përmbushë dhe kriterin e besueshmërisë, të jetë njeri i besueshëm dhe që e njeh Zotin. Përkundrazi, do e shpërdorojë pasurinë tënde.

Duke shquar cilësi dhe tipare të rralla tek Musai a.s, Shuajbi vendosi ta martojë me njërën nga dy vajzat e tij. Meqë Musai a.s nuk kishte pasuri, pasi ishte i arratisur, Shuajbi i kërkoi që si dhuratë martesore, të punonte tetë vite tek ai. Pas kësaj, do të ishte i lirë të shkonte ku të dëshirojë.

"Plaku tha: “Unë dua të të jap për grua njërën prej këtyre dy bijave të mia, me kusht që të më shërbesh mua tetë vjet; por, nëse dëshiron, mund të qëndrosh dhjetë vjet. Unë nuk dëshiroj të t’i rëndoj gjërat. Ti do të shohësh, në dashtë Allahu, se jam një njeri i mirë. Musai tha: “Le të jetë kështu (kjo marrëveshje) midis meje dhe teje. Cilindo prej të dy afateve që të plotësoj, nuk do të jetë padrejtësi për mua. Allahu është Dëshmues për atë që folëm.” (Kasas, 27-28)

Profeti Muhamed a.s u pyet një ditë se sa vite qëndroi Musai a.s në shtëpinë e Shuajbit, duke i shërbyer. Profeti a.s u përgjigj:"I plotësoi dhjetë vite."

Pas dhjetë vitesh, Musai a.s kishte ndryshuar shumë dhe ndjente mall për vendlindjen e tij, për nënën, motrën dhe vëllanë. Kështu, bashkë me gruan ai u nis për në Egjipt. Gjatë rrugës, ai humbet në shkretëtirë. U rrek të ndezë një zjarr, pasi ishte natë e ftohte, por nuk mundi dot. Nga larg, ai dalloi një dritë zjarri dhe i kërkoi gruas të presë aty ku ishte dhe u nis menjëherë drejt zjarrit.

"Kur Musai e plotësoi afatin e caktuar dhe u nis me familjen e vet, vuri re nga larg një zjarr në anën e (malit të) Turit. I tha familjes së vet: “Pritni, sepse kam parë një zjarr. Ndoshta mund t’ju sjell prej tij ndonjë lajm ose një urë zjarri për t’u nxehur”. (Kasas, 29)

Padyshim që kjo i ndodhte sipas një plani dhe projekti nga vetë Zoti i madhëruar. Ai duhej të humbiste rrugën atë natë, të mërdhinte bashkë me të shoqen dhe të kërkonte të ndezë një zjarr.

"A e ke dëgjuar historinë e Musait? Kur pa një zjarr, ai i tha familjes së vet: “Rrini këtu, sepse pashë një zjarr! Ndoshta mund t’ju sjell një urë të ndezur ose të gjej pranë tij ndonjë udhërrëfyes”. (Taha, 9-10)

Kur arriti pranë zjarrit, Musai a.s dalloi diçka të çuditshme. Ajo që Musai a.s e kishte marrë për zjarr, ishte dritë, nur. Kjo dritë dhe nur buronte nga një pemë e madhe. I habitur u afrua tek kjo pemë e cila ndriçonte nga brenda. Kur u afrua, dëgjoi për herë të parë thirrjen hyjnore që i drejtohej pikërisht atij. Zoti i lartësuar po i fliste një krijese të Tij në mënyrë direkte dhe pa ndërmjetës, gjë e cila nuk i ka ndodhur tjetër kujt, përveç profetit Muhamed a.s natën e Miraxhit.

"Kur arriti te zjarri, një zë e thirri: “O Musa! Në të vërtetë, Unë jam Zoti yt! Prandaj, hiqi nallanet, sepse ndodhesh në luginën e shenjtë të Tuvasë. Unë të kam zgjedhur ty, prandaj dëgjo atë që po të shpallet! Me të vërtetë, Unë jam Allahu, s’ka zot tjetër përveç Meje, prandaj, vetëm Mua më adhuro dhe kryej faljen për të më kujtuar Mua!"

"Ora (e Kiametit) do të vijë me siguri, por Unë e mbaj tepër të fshehur, që secili të shpërblehet për atë që ka bërë. Prandaj, mos e lër atë që nuk beson në të (Ditën e Kiametit) dhe që jepet pas epsheve të veta, të të nxjerrë (nga rruga e drejtë), përndryshe do të humbisje." (Taha, 11-16)

Në një ajet tjetër të sures Kasas, Zoti i lartësuar e përshkruan këtë çast me fjalët:

"Kur erdhi afër, një zë e thirri nga ana e djathtë e luginës, nga një pemë në një vend të bekuar: “O Musa, në të vërtetë, Unë jam Allahu, Zoti i botëve!" (Kasas, 30)

Pasi Musait a.s iu bë gjithçka e qartë, Zoti e pyet në një moment:"Ç’është ajo që mban në dorën e djathtë o Musa?” Ai u përgjigj: “Ky është shkopi im, me të cilin mbahem dhe shkund gjethe për dhentë e mia; më shërben edhe për punë të tjera. (Allahu) i tha: “Hidhe atë, Musa!” Ai e hodhi atë dhe, menjëherë, (shkopi) u bë gjarpër që zvarritej." (Taha, 17)

Në një ajet tjetër, Zoti thotë:

"Hidhe shkopin tënd!” Kur e pa shkopin që po lëvizte si gjarpër, ai iku me vrap e nuk u kthye prapa. (Zoti i thirri) “O Musa, mos u frikëso! Në të vërtetë, të dërguarit e Mi nuk frikësohen në praninë Time." (Neml, 10)

"Hidhe shkopin tënd!” Kur e pa se shkopi po lëvizte shpejt, si të ishte gjarpër, u zmbraps me të shpejtë, pa shikuar pas, ndërsa zëri i tha: “O Musa! Afrohu dhe mos u frikëso, sepse ti je i mbrojtur." (Kasas, 31)

Në çastin që shkopi i tij u shndërrua në gjarpër, Musain a.s e kaploi frika dhe paniku. Pasi Zoti e urdhëroi ta marrë në dorë, Musai a.s e kapi për bishti dhe u shndërrua sërish në shkop.

"(Allahu) i tha: “Merre atë dhe mos u frikëso! Ne do ta kthejmë në gjendjen e tij të mëparshme." (Taha, 21)

Veç mrekullisë së shkopit që shndërrohej në gjarpër, Zoti i dha Musait a.s edhe një mrekulli të dytë, të cilën e gjejmë në ajetet:

"Fute dorën tënde nën sqetull: ajo do të dalë e bardhë, pa kurrfarë sëmundjeje. Ja, kjo është një shenjë tjetër." (Taha, 22)

"Fute dorën tënde brenda në gji dhe do të dalë e bardhë pa kurrfarë sëmundje." (Neml, 12)

Musai a.s u urdhërua ta fusë dorën nën sqetull dhe kur e nxorri që andej, ajo i shndërrinte si dielli. Nëse e fuste dorën sërish nën sqetull, drita largohej. Nëse do e kaplonte frika për një arsye apo për një tjetër, Musai a.s mblidhte krahun pas vetes dhe ajo i largohej. Thotë Zoti në Kuran:"Shtrëngoje krahun pas vetes që të çlirohesh prej frikës! Këto janë dy mrekulli prej Zotit tënd për Faraonin dhe parinë e tij; ata janë njëmend popull i mbrapshtë!” (Kasas, 32)

Pasi e kuptoi mesazhin me të cilin e ngarkoi Zoti, Musai a.s i tha:

" (Musai) tha: “O Zoti im, zgjeroma kraharorin tim, lehtësoma punën time, dhe zgjidhma nyjen e gjuhës sime,  që ata të kuptojnë fjalën time!" (Taha, 24-28)

Siç dihet, Musai a.s vuante nga belbëzimi, për këtë iu lut Zotit që t'ia largojë këtë të metë. Sa herë që fliste gjëra të zakonshme, Musai a.s belbëzonte, ndërkohë që kur i fliste faraonit mbi Zotin dhe e ftonte në fenë e Tij, fliste lirshëm dhe pa probleme.

Kur nëna e besimtarëve, Aisheja, u pyet se kush ishte ndërmjetësuesi më i madh në histori, u përgjigj:"Ai është Musai a.s, i cili ndërmjetësoi tek Zoti që edhe vëllai i tij të bëhej profet."

"Më jep një ndihmës nga familja ime, Harunin, vëllanë tim! Ma rrit fuqinë nëpërmjet atij dhe bëma ortak në punën time, që të thurim shumë lavde për Ty e të të përmendim Ty vazhdimisht! Vërtet, Ti do të jesh gjithnjë Mbikëqyrësi ynë”. (Allahu) tha: “Kërkesa jote u plotësua, o Musa." (Taha, 29-36)

Pas kësaj, Musai a.s u kujtua se kishte vrarë një egjiptian dhe se kjo mund të përbënte rrezik për jetën e tij.

"Musai tha: “O Zoti im, unë kam vrarë një njeri të tyre, prandaj kam frikë se do të më vrasin. Vëllai im, Haruni, është më gojëtar se unë në të folur, andaj dërgoje atë me mua, si ndihmës timin, që të vërtetojë fjalët e mia. Unë vërtet kam frikë se ata do të më quajnë gënjeshtar”. Allahu tha: “Ne do të të forcojmë ty me vëllanë tënd dhe që të dyve do t’ju japim fuqi. Kështu, ata nuk do të mund t’ju afrohen juve. Me mrekullitë Tona, ju të dy dhe ata që do t’ju pasojnë, do

të jeni ngadhënjimtarë." (Kasas, 33)

 

Musai a.s në Egjipt

Me të mbërritur në Egjipt, Musai a.s u drejtua drejt shtëpisë së nënën së tij. Pasi u takua me të gjithë familjarët, ai bashkë me Harunin u nisën tek faraoni. Kur vajtën tek porta e pallatit, rojet nuk i lejuan të hyjnë brenda. Musai a.s u tha se ishte i dërguar dhe rojet menduan se ishte i dërguari i ndonjë mbreti dhe e lejuan të hyjë tek faraoni.

Misioni i Musait a.s ishte që të nxjerrë Benu Israilët nga Egjipti. Thotë Zoti në Kuran:"Shkoni te Faraoni dhe i thoni: “Ne jemi të dërguarit e Zotit të botëve, që të lejoni bijtë e Izraelit të vijnë me ne!” (Shuara, 16)

Me ta parë, faraoni e njohu menjëherë Musain a.s dhe kur dëgjoi kërkesën e tij, i tha:

"Faraoni tha: “Vallë, a nuk të kemi rritur në gjirin tonë si fëmijë?! A nuk ke qëndruar midis nesh shumë vjet të jetës sate?! E pastaj bëre veprën që ti e di, duke qenë mosmirënjohës?! Musai tha: “E kam bërë atë, kur nuk kam qenë i udhëzuar. Pastaj ika prej jush, kur u frikësova prej jush dhe Zoti im më dhuroi mençuri dhe më bëri një nga të dërguarit.  A e quan mirësi atë që më bëre mua, ndërkohë që bijtë e Izraelit (popullin tim) i bëre skllevër? Faraoni e pyeti: “E ç’është Zoti i botëve?” (Musai) u përgjigj: “Është Zoti i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet midis tyre, nëse besoni me bindje”. (Shuara, 18-24)

Këto fjalë, Musai a.s nuk ia adresonte vetëm faraonit, por edhe të pranishmëve të tjerë që ishin të pranishëm.

(Faraoni) u tha atyre rreth vetes: “Vallë, a nuk po dëgjoni?!” Ai tha: “Zoti juaj dhe Zoti i të parëve tuaj.” (Faraoni) tha: “Me të vërtetë, i Dërguari që ju është sjellë, është i çmendur”. (Musai) tha: “Zoti i Lindjes dhe i Perëndimit dhe i gjithçkaje që gjendet midis tyre, nëse kuptoni." (Shuara, 25-28)

Musai a.s ceku disa cilësi të Zotit, i cili kishte nën sundim Lindjen dhe Perëndimin, cilësi këto që nuk i gëzonte faraoni që pretendonte se gëzonte cilësi hyjnore. Kur i dëgjoi këto fjalë, faraoni u frikësua se mos të pranishmit ndikohen nga fjalët e Musait a.s, për këtë filloi ta kërkcënojë dhe t'i bëjë shantazh Musait a.s.

"(Faraoni) tha: “Nëse ti merr për zot tjetërkënd, përveç meje, me siguri, do të të fus në burg!” (Shuara, 29)

Kjo është sjellja tipike e diktatorëve dhe despotëve, të cilët nuk binden me argumente racionale. Zgjidhja e vetme e tyre janë burgjet, torturat, syrgjynosja dhe keqtrajtimi i hoxhallarëve dhe ftuesve myslimanë.

Duke parë kokfortësinë e faraonit, Musai a.s vendosi të luajë me kartën e mrekullive, me shpresë se do të reflektonte.

"(Musai) u përgjigj: “Vallë, edhe pasi të të kem sjellë mrekulli të qartë? “(Faraoni) tha: “Tregoje pra, nëse thua të vërtetën!” (Shuara, 30-31)

Share |
Back

Search site

© 2010 Te gjitha drejtat e rezervuara